Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe tre shtete anëtare të BE-së kanë kërkuar nga disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës që të mos e vendosin çështjen e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë në agjendë derisa Prishtina të tregojë konstruktivitet për Asociacionin ka pretenduar Euronews Serbia.
“Ministritë e punëve të jashtme të disa shteteve evropiane, që janë anëtare të Këshillit të Evropës, kanë marrë një letër nga ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të cilën thuhet që Washingtoni konsideron se çështja e pranimit të Kosovës në Këshill nuk duhet të vendoset në agjendën e Komitetit të Minisrave,” –ka mësuar ky mediumnga burime diplomatike në Evropë.
Sipas këtyre burimeve, një gjë e tillë nuk duhet të ndodh deri kur “Kosova të ketë një pozicion më të përshtatshëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që do të shtronte rrugën drejt propozimit për marrëveshjen bazike mes Beogradit dhe Prishtinës.”
Euronews Serbia thotë që me këtë pozicion të ShBA-ve është pajtuar Italia, Franca dhe Gjermania.
Kosova e kishte bërë aplikimin e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës vitin e kaluar.
Madje edhe Serbia kishte thënë që Kosova mund t’i kishte siguruar votat për pranim në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
Gjatë ditës së sotme në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë është mbajtur një takim në lidhje me modalitetet e formimit të Asociacionit, ku ishin të pranishëm edhe shumë zyrtarë qeveritarë, përfshirë shefin e stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipin.












