
Pas arritjes së marrëveshjes me 18 mars në Ohër, pritet të nis zbatimi i saj.Kosova dhe Serbia duhet të nisin implementimin e marrëveshjes së arritur por jo të nënshkruar shumë shpejt.
Kështu kanë bërë të ditur nga Bashkimi Evropian.Por, zyrtari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se para se të nis implementimi, kryeministri Albin Kurti duhet ta çojë vendin në zgjedhje dhe se Kosova nuk duhet ta zbatojë atë marrëveshje, sidomos pikat për Asociacionin dhe Kishën Serbe.
“Problemi i kësaj marrëveshje është se janë dy pika shumë të dëmshme për Kosovën, siç është pika për Kishën Ortodoske dhe Asociacioni/Zajednica. Dhe, edhe nëse Serbia i zbaton ato pjesët tjera, Kosova nuk duhet t’i zbatojë këto dyja, sepse këto dalin përtej planit të Ahtisarit, një lloj Ahtisari plus, prandaj konsideroj se Albin Kurti si njeriu që në politikën e tij e ka luftën kundër Asociacionit dhe kundër asaj që e quante Zajednicë, ai nuk ka të drejtë as morale e as politike që të fillojë implementimin e marrëveshjes.
Pra, para se të fillojë implementimi i kësaj marrëveshje ai duhet ta çojë vendin në zgjedhje dhe t’i tregojë popullit se ka hequr dorë nga ajo që ai dikur e ka quajtur luftë kundër bosnjëzimit të Kosovës, kundër copëtimit të Kosovës nga brenda”, thotë ai.Sherifi thotë se nuk duhet varur shpresat te Serbia që mos ta zbatojë marrëveshjen, por duhet pasur plan Kosova.
“Pra, ne nuk duhet t’i varim shpresat se a do ta zbatojë apo jo Serbia këtë marrëveshje. Albin Kurti duhet t’i kthehet edhe një herë popullit të Kosovës siç e ka ai për zemër të thotë, sepse populli është sovrani dhe jo të shpresojë se do të shpëtojë nga Zajednica dhe nga kjo Kisha Serbe, përmes refuzimit të Serbisë. Kosova duhet të ketë një plan të vetin për të mbrojtur interesat e veta dhe jo të shpresojë që interesat e saj do të mbrohen duke refuzuar Serbia. Kjo ka ndodhur njëherë në Rambuje, nuk do të thotë se mund të ndodhë 100 herë”, vlerëson ai.
Sa i përket deklaratave të kryeministrit se vetëmenaxhimi nuk është Asociacion, ai thotë se është lojë e tij fjalësh dhe mund t’ia ndërrojë emrin, por që vetëmenaxhimi është më shumë se Asociacion, është autonomi politike territoriale e serbëve të Kosovës, pra një vetëvendosje për serbët e Kosovës.
“Mund të bëjë ai manipulim me fjalë duke e ndërruar emrin, por statuti do të tregojë se çka është vetëmenaxhimi. Unë mendoj se statuti i atij vetëmenaxhimi do të na tregojë që është shumë më shumë se Asociacion, është autonomi politike territoriale e serbëve të Kosovës, pra një vetëvendosje për serbët e Kosovës. Mund të bësh përpjekje të manipulosh përmes ndërrimit të emrit por jo përmes ndërrimit të përmbajtjes, përmbajtja është e njëjtë por unë mendoj që do të jetë shumë e dëmshme se sa Asociacioni, që do të duhej të krijohej sipas marrëveshjes së vitit 2015”, thekson Sherifi për Gazeta Blic.
Sipas tij, Vuçiq nuk do të pajtohej për një marrëveshje tani në Ohër, që do të zhbënte atë që ai e ka arritur në vitin 2013 në Bruksel dhe kushdo që mendon kështu, duhet të largohet nga politika.
“Pra, ka mundësi për manipulime veç derisa të fillojë draftimi i statutit, aty do ta shihni se bëhet fjalë për diçka shumë më shumë se marrëveshja e vitit 2013. Kushdo që beson se Vuçiq në Ohër është pajtuar për një marrëveshje për të zhbërë atë që e ka arritur në vitin 2013 në Brukse, ai sheh ëndrra me sy çelë, është naiv në politikë dhe është më mirë që ta lërë politikën, për të dhe për vendin”, deklaron Bilall Sherifi.
Ndërsa, analisti Arbnor Sadiku, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se marrëveshjet edhe nëse jo të nënshkruara në mes Kosovës e Serbisë janë të obligueshme.
“Marrëveshjet e firmosura apo vetëm të dakoruduara, midis palëve në konflikt Kosovës dhe Serbisë janë obligative, pasi që përfaqësuesi i shtetit është i autorizuar për të folur në emër të shtetit dhe përfaqësuar këta të fundit në marrëdhënie ndërkombëtare”, thekson ai.Ndërsa, lidhur me zbatimin ose jo të tyre, thotë se do të varet nga vullneti i palëve dhe trysnia e ndërmjetësuesve.
“Kurse, lidhur me atë se sa dhe si do të zbatohen marrëveshjet, varet shumë nga vullneti i palëve dhe trysnia e garantueseve mbi palët ne dialog”, deklaron Arbnor Sadiku./Gazeta Blic/












