Më shumë se dy dekada pas luftës në Kosovë, uzurpimi i pronave vazhdon ende të jetë problem i madh që po sjellë telashe. Qytetarët shpesh përfshihen në konflikte të ndryshme me fqinjët e tyre si pasojë e pronave, duke mos respektuar as vendimet e Gjykatave. Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në rrugën “Kurtish Hasani” në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një person ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi familja e personit i cili ia kishte shitur shtëpinë, kanë hyrë në pronën e tij, të cilën e kanë shfrytëzuar edhe pse viktima e kishte blerë pas 30 vitesh.
Ai u detyrua ta denoncojë rastin kur u kthye në Kosovë (pasi i njëjti jeton në Gjermani) dhe nuk po merrej vesh me fqinjët e tij, të cilët po pretendojnë se shtëpia është e tyre. Lidhur me këtë rast, Sinjali mëson se ka Gjykata ka marrë vendim për këtë rast, në favor të viktimës, por që nuk është respektuar nga pala tjetër.
Si rezultat i raportimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë marrë deklaratat nga dy palët e përfshira dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet ndaj të dyshuarit.












