
Përdorimi i substancave narkotike po u shkakton telashe të mëdha të rinjve kosovarë, të cilët shpesh humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme në familje. Një rast i tillë ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në Gjilan.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një person, i cili deklaruar se vëllai i tij i cili është përdorues i narkotikëve, e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Gjithçka dyshohet se ndodhi pasi i dyshuari ka kërkuar para nga familjarët e tij dhe pasi ata nuk i kanë dhënë, aty ka plasur sherri. I riu po dyshohet se e ka goditur vëllain deri në atë pikë sa e rrëzon përtokë, si pasojë e goditjeve.
Përballë kësaj situate, familja ka vendosur që ta denoncojë rastin në Polici dhe njësitet policore kanë arrestuar personin e dyshuar.
Ai është shoqëruar në stacion policor dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Sipas informatave të para, i dyshuari edhe më parë ka ushtruar dhunë në familje.












