
Konfliktet mes anëtarëve të familjes në qytetet e ndryshme të vendit, shpesh herë përfundojnë me sharje e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Ata madje shpesh herë eskalojnë në kërcënime e përleshje fizike, duke u dashur kështu intervenimi i Policisë për të zgjidhur telashet, raporton Gazeta Sinjali.
Në një sherr janë futur edhe anëtarët e familjes Bilalli në fshatin Rimanishtë të Prishtinës, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të tij.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjes lidhur me një pajisje bujqësore dhe më pas në rast është përfshirë edhe djali i vogël i familjes, i cili i ka dalë në ndihmë babait të tij dhe bashkë kanë rrahur 32-vjeçarin, të cilin e ka bërë për spital me anë të goditjeve.
Për shkak të lëndimeve që mori nga sulmi fizik, viktima ka marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë babain dhe djalin 29-vjeçar, të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, 63-vjeçari është liruar, ndërsa i biri është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor.









