Alarmante konsiderohen shifrat e vdekjeve në vendin e punës. Me tri vdekjet në dy vendpunishte të ndryshme gjatë së hënës së 21 korrikut, numri i punëtorëve që kanë humbur jetën këtë vit nga lëndimet në vendin e punës, ka shkuar në 7.
E kjo shifër kur kemi edhe pesë muaj deri në përfundim të vitit, është e barabartë me sa ishte në total të 2024-ës.
Kur themi nga lëndimet në vendin e punës, në të shumtën e rasteve i referohemi vendpunishteve të ndërtimtarisë. Sektor i cili konsiderohet si më i rrezikshmi për shkak të kushteve jo të sigurta në të cilat operohet.
Dy personat që humbën jetën të hënën në Gjakovë, Hazir Jakupi 48-vjeçar dhe Daut Bajraktari 50-vjeçar, ranë nga një lartësi prej tre metrash teksa po punonin në një objekt. Më të papranueshme sipas Inspektoratit Qendror të Punës, e bën fakti se hapësira ku vdiqën këta dy punëtorë në Gjakovë, u gjobit dy herë për shkelje të përsëritura.
Teksa flasim për pasigurinë në vendin e punës, lëndimeve që i mori një muaj më parë, nuk iu përballoi as Avdyl Osmanaj, 65-vjeçar, i cili kishte rënë nga kati i tretë i një objekti ku po punonte në fshatin Zallq të Istogut, derisa të hënën e 21 korrikut, nga QKUK-ja u njoftua për vdekjen e tij.
Sipas Zyrës së Inspektoratit, plot 268 aksidente kanë ndodhur këtë vit në nivel vendi që nga janari, me ç’rast shtatë prej tyre kanë përfunduar me fatalitet.
“Duke qenë se aksidentet në vendin e punës përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve, bëjmë thirrje publike për të gjithë punëdhënësit, subjektet afariste dhe institucionet relevante që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për parandalimin e rreziqeve në vendin e punës, në përputhje me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe aktet nënligjore në fuqi”, është thënë mes tjerash në reagimin e Inspektoratit.
Një prej faktorëve që konsiderohet se do të ndikonte në mirëqenien e punëtorëve dhe kushtet e sigurta është inspektimi më i lartë, mirëpo numri i tyre vazhdon të mbetet i pamjaftueshëm.
Numri i inspektorëve është dyfishuar por jo pesëfishuar sa kishte premtuar kryeministri në detyrë Albin Kurti. Premtim i cili nuk u realizua për katër vite mandat.
Aktualisht janë 62 inspektorë të cilët veprojnë në shtatë divizione të ndryshme të Inspektimeve në gjithë territorin e Kosovës, nga 31 sa ishin në vitin 2021. Ndërsa prej muajsh, Inspektorati Qendror i Punës thotë se është në proces të rekrutimit të 59 inspektorëve të rinj.
Megjithatë, sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, punëtorëve po iu rrezikohet jeta edhe për shkak të mosveprimit të qeverisë dhe se duke mos parë tjetër rrugë përveç protestës, KMDLNj-ja thotë se do t’i mbështetë.
Ndërkohë shifrën për vdekjet në vendin e punës, vazhdimisht ndryshe e thotë Sindikata e Sektorit Privat. Sipas njoftimit të tyre gjatë së hënës, me tri rastet e fundit, numri i të vdekurve si pasojë e lëndimeve në vendin e punës ka shkuar në 18 për këtë vit. Kjo shifër konsiderohet dyfish më e lartë krahasuar me vitin e kaluar.
Por, Inspektorati i Punës, në komunikatën e fundit të lëshuar, bëri thirrje që për numrin e vdekjeve në vendin e punës, referencë të jenë vetëm të dhënat e këtij institucioni.
Megjithatë edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës më herët kanë shprehur shqetësim për siç thonë, kushtet e rënda me të cilat përballen punëtorët e ndërtimtarisë në punë.
Gjatë vitit 2023 kanë vdekur 11 punëtorë, ndërsa në 2022-tën, 15 punëtorë./GazetaSinjali