Një delegacion i Shtëpisë së Bardhë, i udhëhequr nga asistentja e Presidentit për Sigurinë Kombëtare Dr. Liz Sherwood-Randal, vizitoi Kosovën këtë javë, ku u takuan me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Nga Shtëpia e Bardhë, përmes një komunikate për media, kanë njoftuar se Sherwood-Randall gjatë vizitës ka përsëritur përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Këshilltarja e Lartë bëhet e ditur se ka vizituar edhe kampet “Liya” dhe “Bondsteel”.
“Dr. Sherwood-Ramdall ka përsëritur përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë rajonale, siç dëshmohet edhe përmes udhëheqjes së qëndrueshme të SHBA-së në misionin e NATO-s në Forcën për Kosovën (KFOR) dhe mbështetjes thelbësore për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila vazhdon zbatimin e planit dhjetëvjeçar”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Po ashtu, thuhet se Sherwood-Randall ka shprehur falënderime të thella për Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti për “përkrahjen e vazhdueshme në strehimin e refugjatëve afganë në Kampin “Liya”, për partneritetin kundër terrorizmit si dhe për aktet e solidaritetit me popullin ukrainas”.












