
Shumë biznese në Kosovë po ankohen muajve të fundit për mungesë të punëtorëve, përderisa punëkërkuesit po ankohen se nuk po paguhen me rregull dhe nuk po kanë kushte elementare të punës, duke thënë se po shfrytëzohen padrejtësisht nga punëmarrësit.
Një rast i tillë është evidentuar zyrtarisht nga instituconet shtetërore në Mitrovicë, ku një biznes me nam në këtë qytet po del se po i mbanë punëtorët në të ‘zezën’.
Restoranti “Misini Kitchen and Sweets Sh.P.K.” që gjendet në Mitrovicë pranë Liqenit Akumulues, është gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje flagrante të Ligjit të Punës, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Veriu.info ka siguruar ekskluzivisht dokumentin ku specifikohen qartë shkeljet e shumta nga ky biznes, i cili është gjobitur me 6 mijë euro të cilat detyrohe t’i paguar brenda afatit prej 8 ditësh.
Në bazë të inspektimit të inspektorëve të punës në biznesin “Misini kitchen and sweets Sh.P.K.” të datës 23.05.2022 është faktuar gjendje me shkelje të shumta.
Sipas dokumentetit të siguruar nga Veriu.info, “Misini Kitchen and Sweets Sh.P.K.” nuk ka lajmëruar 4 punëtorë në ATK, po ashtu nuk ka prezantuar kontratat e punës për punëtorët e evidentuar në listë.

Mungesa e listës së evidencës, mungesa e kërkesave dhe vendimeve për pushime vjetore, mungesa e listës së pagave për dy vitet e fundit, mungesa e listës së pagesës për orët shtesë, janë disa nga shkeljet tjera në marrëdhënie të punës.
Inspektorati i Punës ka evidentuar shkelje edhe nga lëmia e Sigurisë dhe Shëndetit në punë.
Punëdhënësi nuk ka trajnuar asnjë punonjës për përdorimin e AKZ, nuk ka prezantuar dëshmi të kontrollit mjekësor, as certifikatë për aftësitë psiko-fizike të punëtorëve.
Po ashtu punëdhënësi nuk ka caktuar as ekspert për sigurinë dhe shëndetin në punë duke shkelur kështu Ligjin e Punës./Veriu.info
(Në pjesën e dytë të shkrimit do të publikohen shkeljet flagrante të punëtorëve nga “Misini Kitchen and Sweets Sh.P.K.” dhe komplet dokumenticioni zyrtar që e dëshmon këtë)











