
Pas më shumë se një jave në arrati, ka rënë në prangat e Policisë personi i dyshuar për tentim vrasjen e një 47-vjeçari, në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq. Sinjali mëson se 32-vjeçari i dyshuar që shtiu gjashtë herë në drejtim të viktimës tashmë është ndaluar.
Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për Fatos Rexhepin, i cili u arrestua sot dhe u shoqërua në stacion policor, ku pas intervistimit, Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij.
Sinjali ka raportuar me detaje për këtë rast që ndodhi në pikë të ditës së 15 gushtit, ku për motive ende të panjohura, i dyshuari e gjuajti me armë viktimën dhe më pas iku nga vendi i ngjarjes me veturën e tij.
Për rreth 10 ditë ai shijoi lirinë, deri më sot, kur u lokalizua vendndodhja e tij dhe i njëjti përfundoi në ndalim policor.
Ditën kritike, Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar gjashtë gëzhojat të cilat dyshohet se janë të armës që u përdor në rast. Në vargun e veprimeve hetimore, me urdhër të Gjykatës, njësitet policore atë ditë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet për ‘Vrasje në tentativë’ dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.










