una e Dhomave të Specializuara të Hagë, vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara në Kosovë. Pas nisjes së gjykimit, nga katër dëshmitarët e parë të gjithë dëshmuan me masa mbrojtëse e në seanca private.
Megjithatë, është një tjetër detaj që ka shkaktuar shumë reagime kohëve të fundit në Kosovë. Një nga shtojcat e parashtrimet e Prokurorisë, aty ku përmenden akuzat ndaj krerëve të UÇK-së, Prokuroria ka shpërfaqur një pretendim që po vlerësohet i çuditshëm.
Aty thuhet se anëtarë të UÇK-së, pas përfundimit të bombardimeve, kanë pasur plan për të ndikuar në demografi duke vrarë e dëbuar serbët. Indirekt, një akuzë për spastrim etnik mbi ushtarët e UÇK-së. Fakt i cili është kritikuar ashpër në Kosovë.
“Në verën e vitit 1999, sulmet kundër civilëve serbë – që çuan në 50 vdekje në javë fillimisht – nuk ishin thjesht hakmarrje, por një orvatje e menduar për të ndikuar në demografi dhe në negociatat e ardhshme për statusin e Kosovës.2 Po bëheshin vrasje dhe rrëmbime të bujshme të serbëve të Kosovës, si edhe dëbime me forcë, plaçkitje dhe zjarrvënie. 3 Kryesit vepronin në mënyrë të organizuar, me një formë hierarkie dhe komandimi dhe kishte shenja të qarta se shumë prej kryesve ishin anëtarë të UÇK-së”, thuhet në një nga parashtrimet e Prokurorisë.
“Me tërheqjen e forcave të RFJ-së në qershor 1999, anëtarë të UÇK-së terrorizuan civilë serbë”, thuhet aty.
Edhe pse spastrimi etnik nuk përmendet si termë në këtë pjesë, akuzat ndërlidhen me këtë çështje. Kjo pasi, spastrimi etnik nënkupton një largim sistematik e të organizuar të një grupi të caktuar.
Ky dokument që është tash e sa muaj, mirëpo veç së fundmi mori jehonë, u kritikua nga ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi.
“E ashtuquajtura Dhoma e Specializuar e Kosovës (e cila pretendon të jetë e Kosovës, por e ka ndaluar ilegalisht edhe flamurin e Kosovës) po pretendon se Ushtria Çlirimtare e Kosovës po ndryshonte me dashje demografinë e Kosovës duke vrarë serbët. Pra, ajo që pamë në 1999/00 nuk ishin sulme hakmarrëse nga individë, por një plan i UÇK-së”, ka shkruar Selimi.
“Është një pretendim i shëmtuar, i pavërtetë dhe ahistorik i prokurorit. Po rishkruan historinë e Kosovës në një mënyrë që do t’i shërbente vetëm makinerisë propagandistike serbe dhe ruse. Nuk ka drejtësi me këtë rrëfim”, thuhet më tutje aty.
Aktualisht gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve. Janë dëgjuar 4 dëshmitarë. Secili prej tyre me masa strikte mbrojtëse dhe pjesa më e madhe e seancave kanë qenë private.
Kjo ka shkaktuar mjaft shumë reagime në Kosovë, duke vlerësuar se ka mungesë të transparencës. Megjithatë, Prokuroria në vazhdimësi është arsyetuar se kjo po bëhet me qëllim të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe viktimave.
Prokuroria ka vlerësuar se do t’i duhet kohë deri në prill 2025 për ta përfunduar rastin e saj. Pastaj, rreth 1 vit kohë ka kërkuar edhe mbrojtja që t’i paraqesë provat e saj. Krerët e UÇK-së ishin arrestuar në nëntor 2020, dhe deri po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.













