Nuk kaluan më shumë se 24 orë nga arrestimi i serbit Milun Milenkoviq- Llune në veri të Mitrovicës, dhe shteti i Serbisë u kundërpërgjigj duke kidnapuar tre policë kosovarë brenda territorit të Kosovës.
Veriu.info ka mësuar nga burimet e saj se Policia e Kosovës dhe MPB kishin informacione nga dita e djeshme se Serbia po përgatiste kidnapimin e policëve brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Por duket se kjo nuk mjaftoi që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës të marrin masa parandaluese.
Në pikën statike tek vendkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, e njohur si Kërpimeh u dërguan vetëm tre policë, të cilët u kidnapuan nga Serbia, mëson Veriu.info nga burime brenda Policisë.
Veriu.info ka kontaktuar edhe zëdhënësen e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti, duke e pyetur nëse policia ka pasur informacion për diçka të tillë, por e njëjta nuk ka pohuar e as mohuar duke udhëzuar referimin në komunikatën zyrtare të Policisë së Kosovës.
Sipas protokollit në pikat statike të Policisë së Kosovës afër pikave kufitare vendosen dy patrulla policie me 8 policë, kurse sot atje u dërguan vetëm 3 policë./Veriu.info/













