Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Si po i kushton Kosovës bllokada e tregtisë së energjisë me Serbinë

09/08/2026 - 13:05
në Ekonomi, Kryesore, Lajme
A A
Si po i kushton Kosovës bllokada e tregtisë së energjisë me Serbinë
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp
OSE

Tregtia e energjisë elektrike mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mos jetë e funksionalizuar, ndërsa autoritetet kosovare kërkojnë zbatimin e një vendimi të Komunitetit të Energjisë, që sipas tyre do të ulte kostot e importit dhe do të lehtësonte shitblerjen rajonale.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) thotë se që nga viti 2020 nuk ka pasur tregti të energjisë elektrike mes dy vendeve.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë së Kosovës, kjo situatë i ka kushtuar Kosovës dhe rajonit më shumë se 150 milionë euro vetëm gjatë vitit 2024. Megjithatë, ministria nuk ka sqaruar metodologjinë mbi të cilën është llogaritur kjo shifër.

Për shkak të pamundësisë për të tregtuar energji përmes kufirit me Serbinë, Kosova përdor rrugë alternative për import dhe eksport. Kjo, sipas autoriteteve kosovare, rrit kostot e transmisionit dhe ushtron presion mbi linjat e tjera ndërkufitare.

Situata vazhdon edhe pas skadimit të afatit të 1 korrikut 2026, të përcaktuar nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë, i cili i kishte kërkuar Serbisë të ndërmerrte masat e nevojshme për të siguruar zbatimin e rregullave për tregtinë dhe kapacitetet ndërkufitare.

Importet përmes rrugëve më të shtrenjta

Nëse tregtia e energjisë elektrike me Serbinë do të ishte e mundur, Kosova do të mund të përdorte një rrugë më të drejtpërdrejtë për importet dhe eksportet e rrymës.

Aktualisht, energjia tregtohet përmes kufijve me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, duke sjellë tarifa shtesë të transmisionit.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, në raste të caktuara kostoja e transmisionit të një megavati energji ka arritur deri në 800 euro. Ministria nuk ka dhënë hollësi se në cilat raste është regjistruar kjo shumë, apo sa do të kushtonte transmisioni përmes Serbisë.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa kompani të licencuara për furnizim dhe tregti të energjisë elektrike për ndikimin financiar të kësaj situate.

Përgjigje dërgoi vetëm Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), e cila nuk dha një shumë konkrete, por tha se kostoja e importit varet nga disa faktorë.

Kostoja e importit bëhet veçanërisht e rëndësishme gjatë periudhave kur Kosova ka nevojë për më shumë energji nga jashtë.

Prodhimi vendës nuk e mbulon gjithmonë kërkesën, sidomos gjatë muajve të dimrit, për shkak të ndërprerjeve dhe kufizimeve në termocentralet me qymyr, ndërsa prodhimi nga burimet e ripërtërishme ende nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e sistemit.

Vetëm gjatë vitit 2024, Kosova shpenzoi rreth 250 milionë euro për import të energjisë elektrike.

Pse nuk ka tregti me Serbinë?

Problemi lidhet me ndryshimin e mënyrës së funksionimit të sistemit energjetik të Kosovës, dhe me mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit për zbatimin e marrëveshjeve të energjisë.

Në fund të vitit 2020, KOSTT-i filloi të operojë si zonë e pavarur rregulluese.

Deri atëherë, Kosova ishte pjesë e një blloku rregullues me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Pas ndryshimit, ajo u bashkua me zonën rregulluese të Shqipërisë dhe aktivizoi linjën e interkoneksionit 400-kilovoltësh, të njohur si “Autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri”.

Pas këtij ndryshimi, tregtia e energjisë elektrike në kufirin Kosovë-Serbi nuk u funksionalizua.

Çfarë thotë Kosova?

Ministria e Ekonomisë e Kosovës thotë se Serbia nuk e ka zbatuar vendimin e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, i cili kërkonte veprime për funksionalizimin e kapaciteteve ndërkufitare për tregti.

“Republika e Kosovës vazhdon të kërkojë zbatimin e plotë të këtij vendimi, pasi vënia në dispozicion e kapaciteteve ndërkufitare është e rëndësishme për mundësimin e tregtisë së energjisë elektrike, funksionimin e tregut rajonal të energjisë dhe integrimin e mëtejshëm të tregut energjetik të Evropës Juglindore”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Ekonomisë për Radion Evropa e Lirë.

Autoritetet kosovare thonë se pengesa kryesore është mungesa e koordinimit mes Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Serbisë (EMS) dhe KOSTT-it për ndarjen e kapaciteteve ndërkufitare.

KOSTT-i thotë se ka kërkuar vazhdimisht koordinim me palën serbe për këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje konkrete.

Çfarë thotë Serbia?

Ministria e Minierave dhe Energjetikës e Serbisë mohon se ekziston ndonjë ndërprerje fizike e transmisionit të energjisë elektrike mes dy vendeve.

Sipas saj, vendimi i Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë lidhet me integrimin e tregut, koordinimin dhe ndarjen e kapaciteteve ndërkufitare.

Ministria serbe argumenton se kuadri rregullator, mbi të cilin ishte trajtuar më herët kjo çështje, është zëvendësuar me rregulla të reja të Pakos për Integrimin e Energjisë Elektrike (EIP).

“Brenda kompetencave të saj, Republika e Serbisë ka ndërmarrë aktivitetet e nevojshme sipas kuadrit të ri rregullator, përfshirë krijimin e kushteve të nevojshme për koordinimin rajonal të alokimit të kapaciteteve të transmisionit ndërkufitar”, thuhet në përgjigjen e ministrisë serbe për Radion Evropa e Lirë.

Edhe EMS-ja pohon se energjia elektrike vazhdon të rrjedhë fizikisht mes sistemeve energjetike, dhe se kufijtë e zonave tregtare bazohen në marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për energjinë në vitet 2013 dhe 2015, ndërsa në vitin 2022 miratuan edhe një udhërrëfyes për zbatimin e tyre.

Megjithatë, këto marrëveshje, si shumë të tjera të arritura në kuadër të dialogut, nuk janë zbatuar plotësisht.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia vazhdon të ndikojë edhe në pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë të sektorit energjetik.

Çka pas skadimit të afatit?

Ministrja në detyrë e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, e ka ngritur çështjen e moszbatimit të vendimit gjatë një takimi joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, të mbajtur më 2 korrik 2026 në Prishtinë.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, deri më tani nuk është miratuar një afat i ri për zbatimin e vendimit.

“Çështja mbetet nën monitorimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, i cili mund të propozojë hapa dhe masa të mëtejshme procedurale në rast të vazhdimit të moszbatimit të vendimit nga Serbia”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Komuniteti i Energjisë ka thënë se 1 korriku ishte afati i fundit për ndërmarrjen e veprimeve të kërkuara. Megjithatë, detyrimi për zbatimin e vendimit mbetet në fuqi edhe pas kësaj date.

Sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë, në rast të moszbatimit të një vendimi detyrues, Këshilli Ministror mund të konstatojë shkelje serioze dhe të ndërmarrë masa, përfshirë pezullimin e disa të drejtave që burojnë nga Traktati.

Koston mund ta bartin konsumatorët

Derisa Kosova dhe Serbia kanë interpretime të ndryshme për arsyet e mungesës së tregtisë së energjisë në kufirin mes tyre, kostot e përdorimit të rrugëve alternative mund të rëndojnë mbi sistemin energjetik të Kosovës.

Kompanitë e licencuara për furnizim me energji elektrike përballen me kosto të importit dhe transmisionit që mund të jenë më të larta për shkak të rrugëve alternative.

Adhurim Haxhimusa, profesor në Universitetin Zviceran të Shkencave të Aplikuara (FHGR), thotë se këto kosto mund të ndikojnë edhe te konsumatorët.

Sipas tij, gjatë procesit të shqyrtimit të tarifave, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) analizon edhe kostot e energjisë së importuar.

Nëse kostot shtesë vlerësohen si të arsyeshme, ato mund të përfshihen në tarifat e energjisë elektrike dhe të reflektohen në faturat e konsumatorëve.

“Këto shpenzime shpërndahen tek konsumatorët përmes rritjes së tarifave të energjisë elektrike, ashtu siç kemi pasur edhe viteve të kaluara”, thotë Haxhimusa për Radion Evropa e Lirë.

Në vitin 2025, ZRRE-ja miratoi një rritje prej 16.1 për qind të tarifave për amvisëritë dhe bizneset me deri në 50 punëtorë, ndërsa një rritje tjetër prej rreth 15 për qind ishte miratuar në vitin 2023 për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. /REL

JU REKOMANDOJMË

Kurti: Nga bllokada në Kuvend humbin mjetet nga Plani i Rritjes

Kurti: Nga bllokada në Kuvend humbin mjetet nga Plani i Rritjes
25/09/2026 - 14:11

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bllokada në Kuvend ka pamundësuar miratimin e disa ligjeve të nevojshme për zbatimin e reformave të parapara në kuadër të...

Më shumëDetails

“Të mbrojmë dinjitetin tonë!” – Bedri Hamza fton qytetarët në protestën masive më 1 tetor

“Të mbrojmë dinjitetin tonë!” – Bedri Hamza fton qytetarët në protestën masive më 1 tetor
25/09/2026 - 14:08

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, u ka bërë thirrje qytetarëve, studentëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të bashkohen në një protestë...

Më shumëDetails

Von der Leyen, të enjten në Prishtinë

Von der Leyen, të enjten në Prishtinë
25/09/2026 - 13:57

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të mërkurën e ardhshme do të nisë një turne në Ballkan. Ndalesën e parë do të bëjë në Shqipëri, për...

Më shumëDetails

Haxhiu për mosreagimin e Gërvallës ndaj dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: Ajo ka folur disa herë për këtë çështje

Haxhiu për mosreagimin e Gërvallës ndaj dënimit të ish-krerëve të UÇK-së: Ajo ka folur disa herë për këtë çështje
25/09/2026 - 13:49

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është pyetur nga gazetarët për mosreagimin e ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla, lidhur me dënimin prej 81 vjetësh burgim ndaj ish-krerëve...

Më shumëDetails

Deklarata e përbashkët për Hagën, Nagavci: Shpreh unitetin jo veç të partive por edhe të qytetarëve

Deklarata e përbashkët për Hagën, Nagavci: Shpreh unitetin jo veç të partive por edhe të qytetarëve
25/09/2026 - 13:46

Deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci, është deklaruar për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Ajo bëri të ditur se në seancën e së hënës përveç betimit të...

Më shumëDetails

Kurti: Nëse nuk zgjidhet Presidenti, vendi shkon në zgjedhje

Kurti: Nëse nuk zgjidhet Presidenti, vendi shkon në zgjedhje
25/09/2026 - 13:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dështimi për zgjedhjen e presidentit të ri mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Kurti ka thënë se Kuvendi aktual...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Publikohet për herë të parë snajperi me të cilin policët qëlluan terroristët serbë me 24 shtator

    Publikohet për herë të parë snajperi me të cilin policët qëlluan terroristët serbë me 24 shtator

    183 Shpërndaje
    Shpërndaje 73 Tweet 46
  • Biseda e familjarit të heroit Afrim Bunjaku me Klestor Veselin: “Kadria na maroi këtë…”

    97 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 24
  • Goditet grupi i dyshuar për fajde e kanosje në Prishtinë, këta janë tre të arrestuarit

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • A do të marrë pjesë në protestat kundër vendimit të Speciales? Kjo është përgjigjja e Kurtit

    86 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 22
  • Haxhiu e ka dërguar në Qeveri projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

    85 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë