Misioni i EULEX-it në Kosovë ka bërë të ditur se një numër prej 92 pjesëtarëve të njësisë speciale do të vijnë në Kosovë në kuadër të këtij misioni.
Ky mision ka thënë se kjo njësi vjen në Kosovë bazuar në situatan e sigurisë në Kosovë.
Njoftimi i plotë:
EULEX-i do të përforcojë Njësinë e tij Policore të Specializuar me një Njësi Rezervë me 92 pjesëtarë të xhandarmerisë
Një Njësi Policore e Specializuar Rezervë e përbërë prej 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë (EUROGENDFOR) nga Portugalia, Franca dhe Italia do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim për të përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NjPS).
NjPS-ja Rezervë do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë si reagues i dytë i sigurisë i Kosovës nëse është e nevojshme, duke pasur parasysh mjedisin e sigurisë.
NjPS-ja e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës, si pjesë e një mekanizmi treshtresor të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është reaguesi i dytë, dhe KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë.
NjPS-ja e rregullt e EULEX-it aktualisht përbëhet prej 105 zyrtarëve policorë nga Polonia të stacionuar në Mitrovicë. NjPS-ja Rezervë e siguruar nga EUROGENDFOR përbëhet prej 92 xhandarmëve: 42 nga Portugalia, 28 nga Franca dhe 22 nga Italia. Ata do të vendosen në Kompleksin e EULEX-it për Mbështetje në Fushë Kosovë dhe do të jenë nën komandën e EULEX-it. Një ekip paraprak pritet të mbërrijë sot, më 14 mars.
Zbarkimi i NjPS-së Rezervë dëshmon vendosmërinë e EULEX-it për të vazhduar mbështetjen e stabilitetit të Kosovës dhe për të kontribuar për sigurinë e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Konteksti
Forca Evropiane e Xhandarmërisë është forcë policore shumëkombëshe, operacionale, e para-organizuar, e fuqishme, dhe shpejtë e zbarkueshme. Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës dhe ofron mbështetje të vazhdueshme për kapacitetet e Policisë së Kosovës për kontrollin e turmave dhe trazirave përmes këshillave dhe seancave të trajnimeve të përbashkëta. Mekanizmi treshtresor i reaguesve të sigurisë në Kosovë përbëhet prej Policisë së Kosovës si reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-it si reagues i dytë dhe KFOR-it si reagues i tretë. Qëllimi i reaguesit të dytë të sigurisë është de-eskalimi i tensioneve dhe rikthimi i rendit publik, si dhe mbrojtja e jetës, integritetit dhe pronës së popullsisë së prekur.













