Çmimi i naftës është rritur sërish. Vetëm brenda kësaj jave, çmimi është ngritur për rreth 10 centë. Nga shoqata e naftëtarëve kanë theksuar se qëndrueshmëri të çmimeve nuk do të ketë, pa përfunduar lufta Rusi-Ukrainë. Deri atëherë, njohësit e çështjeve tregtare rekomandojnë që Qeveria të ndërmarrë hapa të shpejtë, përveç me inspektim për manipulime të mundshme, edhe duke e hequr TVSH-në apo ulur akcizën e naftës.
Çmimet në tregun e karburanteve vazhdojnë të luhaten me shpejtësi.
Nga java në javë, litri i naftës po tregtohet ndryshe.
Brenda 4-5 ditësh, çmimi i naftës është rritur rreth 10 cent. Në fillim të javës litri i naftës ka kushtuar 1.64 euro ndërsa tash, çmimi ka shkuar 1.73 euro.
Këto ndryshime të çmimit, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se varen nga lëvizjet në bursën ndërkombëtare.
Në një përgjigje me shkrim, ai ka theksuar se stabilitet të çmimeve në tregun e karburanteve nuk do të ketë, pa përfunduar lufta Rusi-Ukrainë.
“Sa i përket çmimeve në ditët në vijim nuk mund të paragjykojmë shkaku se ka lëvizje të mëdha në berzë. Kosova është treg i hapur dhe kërkesa e oferta e formulojnë çmimin. Stabilitet të çmimeve do të ketë pasi të përfundojë lufta Ukrainë-Rusi”, ka thënë Berjani.
Por, sipas ish-ministrit të Tregtisë, Ismet Mulaj, çmimi i naftës në bursa nuk reflektohet drejtë në Kosovë.
“Janë dy faktorë që ndikojnë në rritjen e çmimeve, i pari është çmimi ndërkombëtar, çmimi i bursës, dhe e dyta është mosmbikëqyrja sa duhet e tregut të karburanteve në Kosovës, për shkak se sot nafta në bursë ndërkombëtare kushton 1.11 dollarë, nuk korrespondon dhe nuk është në harmoni me rritjen e çmimeve në Kosovë”, ka thënë ai.
Mulaj thotë që Qeveria nëpërmjet Inspektoratit të Tregut dhe funksionalizimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës duhet të mbikëqyrë rritjen e çmimeve dhe manipulimet e mundshme.
Ai ka rekomanduar që për ta lehtësuar situatën me çmimet në Kosovë, ekzekutivi ta heqë TVSH-në ose ta zbresë akcizën e naftës.
“Qeveria ka dy mekanizma ku mund të ndërhyjë. E para përmes autoritetit të Konkurrencës, ndalimin e marrëveshjeve joligjore dhe së dyti mund ta heqë TVSH-në ose ta zbresë akcizën në karburante dhe automatikisht zvogëlohen çmimet”, ka thënë Mulaj.
Rritja e çmimit të naftës ka ndodhur për shkak të fillimit të luftës Rusi-Ukrainë dhe sanksioneve që vendet perëndimore i kanë vendosur Rusisë, e cila është një ndër furnizueset më të mëdha të Evropës me naftë.













