Në Kosovë, ndërhyrjet estetike si Botox dhe fillerët po përhapen me shpejtësi, por një pjesë e madhe e tyre ofrohet jashtë ligjit dhe pa mbikëqyrje profesionale. Injektimi i Botox-it, që nuk është i licencuar për asnjë subjekt juridik, vazhdon të kryhet ilegalisht, duke i ekspozuar qytetarët ndaj praktikave të pasigurta.
Përveç aspektit ligjor, rreziku qëndron te pasojat shëndetësore nga aplikimi joprofesional: infeksione, deformime, reaksione alergjike dhe dëmtime serioze. Mungesa e kontrollit dhe e standardeve rrit dyshimet për sigurinë e këtyre shërbimeve dhe efektivitetin e mbikëqyrjes institucionale.
Në muajin dhjetor, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, kishte zhvilluar një aksion të gjerë për kontrollimin e bizneseve që ofrojnë shërbimin e injektimit të Botox-it, pasi që asnjë subjekt juridik në Kosovë nuk është i autorizuar për ofrimin e këtij shërbimi.
Në mesin e subjekteve private shëndetësore të kontrolluara kishte qenë edhe subjekti privat shëndetësor “Rene Clinic” me themeluese dhe pronare Jeta Rukiqi Krasniqi.

Veriu.info ka siguruar një vendim të Inspektoratit Shëndetësor të muajit janar me të cilin “Rene Clinic” është gjobitur me 4 mijë euro për shkelje të Ligjit për Shëndetësi.

Në raportin e inspektimit të siguruar nga Veriu.info, thuhet që Ambulanca Specialistike e Dermatologjisë “Rene Clinic”, thuhet se inspektorët shëndetësorë kanë realizuar këtë inspektim në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Ekonomike, Inspektoratin Farmaceutik dhe Inspektoratin e Tregut.
“Rene Clinic” gjatë këtij inspektimi është gjetur duke ofruar shërbime shëndetësore me personel të huaj të palicencuar (Almina Haziri). Po ashtu kryente shërbime shëndetësore dermatologjike pa prezencë të specialistit të dermatologjisë në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi.
Inspektorët kanë evidentuar si shkelje edhe mungesën e licencave profesionale të punës për Vjollca Zeka dhe Elza Beqa – Haxhiu.




“Rene Clinic” e Jeta Rukiqi Krasniqit është zbuluar duke ofruar shërbime të botox-it pa licencë, shërbim shëndetësor ky që nuk i lejohet asnjë subjekti shëndetësor në Kosovë. Në raport bëhet e ditur se shërbimet e botox-it i kryente Dr. Adelina Mustafa dhe Almina Haziri.
Përveç botox-it, “Rene Clinic” kryente edhe një shërbim tjetër të palicencuar. Inspektorët kanë gjetur se kjo klinikë ofronte shërbime të fillerëve pa pasur licencë për to.
Për shkak të këtyre të gjeturave skandaloze, inspektorët shëndetësorë “Rene Clinic”-it i kanë ndaluar ofrimin e shërbimit të botox-it dhe fillerëve.
Po ashtu i kanë ndaluar Dr. Adelina Mustafës ofrimin e shërbimeve deri në licencim si personel shëndetësor. Ndalesë të njëjtë kanë vendosur edhe për Almina Haziri, Vjollca Zeka dhe Elza Beqa – Haxhiu.
Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga “Rene Clinic” për çështjet e ngritura, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi pranuar përgjigje në pyetjet e dërguara.


LEXONI EDHE:













