Një person është arrestuar nga Policia pasi i njëjti dyshohet për keqpërdorim të mbi 104 mijë eurove në një tender për sistemin e kamerave, në QKUK.
Lajmin e ka konfirmuar Policia.
Sipas njoftimit, zyrtari i IT-së me inicialet L.J., thuhet se veprën e ka kryer në cilësinë e menaxherit të kontratës nga QKUK “furnizimi dhe montimi i sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”.
Gazeta Insajderi ka zbuluar se Leotrim Jahaj është personi i cili është arrestuar.
Për çfarë akuzohet Jahaj?
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka paguar 104,751 euro në shtator të 2020 për furnizim me kamera për objektet brenda këtij institucioni, si dhe dhomën e monitorimit të tyre. Por në fakt ky projekt nuk u realizua kurrë pasi në depon e QKUK-së nuk gjenden fare pajisjet e blera.
Njësia e Teknologjisë dhe Informacionit në kuadër të QKUK-së në dhjetor të vitit 2019 kishte kërkuar 105 mijë euro nga drejtoria e përgjithshme dhe sektori i Shërbimeve të Përbashkëta, për furnizim dhe montim të sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe integrimin e sistemit të kontrollit dhe qasjes. Kjo kërkesë ishte aprovuar dy ditë më vonë nga drejtori i përgjithshëm, drejtori i SHPTA-së si dhe shefi i sektorit Financiar.
Njoftimi për kontratë ishte shpallur më 6 nëntor 2019, ndërsa kompania “NTSH Artech” ishte shpallur fituese më 3 dhjetor të atij viti me ofertën në vlerë 104,751 euro. Ndërkaq kontrata ishte nënshkruar më 9 shtator të vitit 2020 kur edhe ishin zotuar mjetet nga Autoriteti Kontraktues – QKUK.
Në këtë tender kishte edhe dy ofertues të tjerë të cilët ishin më të lirë sesa “Artech”. Grupi i operatorëve “Impact” “BM Group” “Cimi Electronic” kishin ofertuar me çmim 98,816 euro, si dhe “Besa Security” me çmim 100,746 euro.
Megjithatë QKUK e kishte shpërblyer “Artech” me çmimin më të lartë. Kontrata ishte nënshkruar nëntë muaj me vonesë pas shpalljes së Njoftimit për Dhënie të Kontratës, ndonëse data e planifikuar ishte 13 dhjetori i vitit 2019.
Për këtë kontratë QKUK ka angazhuar Auditorin e Brendshëm që të kryej një auditim.
Auditori pati gjetur se QKUK ka paguar 104,751 euro për projektin e instalimit të kamerave dhe dhomës së monitorimit, por në fakt ky projekt nuk ishte realizuar ndonëse kontrata ishte nënshkruar para një viti. Auditori gjatë auditimit poashtu nuk i ka gjetur as pajisjet dhe materialet në depon e QKUK-së.
Jahja ka qenë në mesin e tre anëtarëve të Komisionit të Pranimit, të cilët kishin nënshkruar pranimin e mallit më 22 dhjetor 2020 dhe në bazë të këtij raporti QKUK kishte kryer pagesën. Por në fakt sipas auditorit malli nuk ekziston në QKUK.
“Ne gjatë auditimit nuk kemi gjetur sasinë e deklaruar të mallit në depo dhe nuk kemi gjetur pranimin e mallit nga depoisti i cili deklaron se deri më datë 27.08.2021, ditë e premte nuk ka pasur asnjë pranim të mallit nga kjo kontratë”, thuhet në raportin e Auditorit.
Ndërkaq sipas këtij raporti, po atë ditë më 27.08.2021 derisa po kryhej auditimi në depon e QKUK-së është dorëzuar një sasi e mallit, por nuk është pranuar zyrtarisht nga depoisti.
Auditori në fund kishte rekomanduar që kjo lëndë të procedohej në Polici dhe Prokurori.
Pas publikimit të skandalit, Jahja ishte përjashtuar përkohësisht nga puna
Në shtator të vitit, të kaur Leutrim Jahja, dhe dy persona të tjerë ishin përjashtuar përkohësisht nga puna në QKUK pas dyshimeve për keqpërdorime me tenderin për kamera në vlerë 104,751 euro.
Komisioni Disiplinor i SHSKUK-së kishte marr masa ndaj tre zyrtarëve të IT-së në QKUK bazuar në raportin e Auditorit të Brendshëm për tenderin me kamera.
Jahaj dhe të tjerët ishin pezulluar nga puna për dy muaj deri në një vendim përfundimtar. Sipas vendimit tre zyrtarëve, iu ndalohej hyrja në objektet e QKUK-së përveç nevojave shëndetësore./Gazeta Insajderi/













