Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Sorensen: Takimi Kurti-Vuçiq, vetëm kur të jenë gati për rezultate konkrete!

05/08/2026 - 19:08
në Lajme
A A
Sorensen: Takimi Kurti-Vuçiq, vetëm kur të jenë gati për rezultate konkrete!
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Emisari për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, të parën intervistë të tij me shkrim dhe të parën për një media në Kosovë, ka thënë se zbatimi i detyrimeve që burojnë nga procesi i normalizimit mes Prishtinës dhe Beogardit është nën nivelin për të cilin palët janë zotuar dhe zbatimi i marrëveshjeve është i vonuar. Diplomati danez thotë se ua ka bërë të qartë këtë Kurtit dhe Vuçiqit. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Miroslav Lajcak, që i kërkonte Kosovës të nis e para me themelimin e Asociacionit për t’u ndjekur pastaj nga Serbia, Sorensen qartëson se s’bëhet fjalë për atë se kush nis e para dhe se asnjëra palë s’duhet ta presë tjetrën. Ai ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve është detyrues dhe potencon se ndërhyrja nga nivele të larta të BE-së, si znj. Kaja Kallas, në kërkim të progresit, s’mund të zëvendësojë vetë punën që Kosova e Serbia mund ta bëjnë. Për një takim të nivelit të lartë, Sorensen ka thënë se do të caktohet vetëm kur liderët e Kosovës dhe Serbisë janë të gatshëm për rezultate konkrete dhe se të dy e dinë se çfarë duhet të bëjnë për këtë.

Gazeta Express: A jeni të kënaqur me ecurinë e Dialogut që nga emërimi juaj si Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë?

Peter Sorensen: Nuk është kënaqësia njësia matëse, por janë rezultatet konkrete. Dhe që kur kam marrë detyrën, rezultate të tilla janë arritur. Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur është takuar në formatin trepalësh për herë të parë në fillim të këtij viti – kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme për familjet që kanë pritur me dekada për përgjigje rreth më të dashurve të tyre. Gjithashtu, gjetëm një zgjidhje të përkohshme për qytetarët serbë që punojnë dhe studiojnë në Kosovë, të cilët tani mund të pajisen me leje pune dhe qëndrimi. Pra, Dialogu po sjell rezultate për njerëzit.

Por do të jem po aq i drejtpërdrejtë: sa u përket detyrimeve thelbësore të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit, zbatimi mbetet shumë nën nivelin e asaj për të cilën të dyja palët u zotuan – dhe atë çfarë qytetarët e tyre e meritojnë. Këtë ua kam thënë pikërisht si Beogradit, ashtu edhe Prishtinës, dhe fokusi im tani është t’i ndihmoj palët që t’i shndërrojnë ato zotime në realitet në terren.

Gazeta Express: A ka pasur ndikim negativ në procesin e Dialogut fakti që Kosova ka qenë në ngërç politik gjatë dy viteve të fundit?

Sorensen: Mandati im është të ndihmoj Përfaqësuesen e Lartë të BE-së (Kaja Kallas) në lehtësimin e Dialogut Beograd-Prishtinë dhe unë komentoj vetëm atë që është relevante për këtë proces – çështjet e brendshme politike u takojnë qytetarëve dhe institucioneve të tyre. Megjithatë, pyetja prek Dialogun, ndaj më lejoni të theksoj dy gjëra: së pari, vendimet me peshë kërkojnë institucione me mandat të plotë, ndërsa një periudhë e zgjatur qeverisjeje në detyrë kufizon mundësitë për vendimmarrje dhe zbatim. Së dyti – dhe ky është aspekti thelbësor – obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja janë detyruese për Beogradin dhe Prishtinën, jo vetëm për qeveritë e tanishme. Këto obligime nuk pezullohen për shkak të kalendarit zgjedhor apo negociatave për koalicione. Kjo vlen si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin. Detyra ime është ta mbaj procesin gjallë dhe në lëvizje, pavarësisht rrethanave – dhe ai ka vazhduar të japë rezultate.

Gazeta Express: Ju pamë në një vizitë të paparalajmëruar në Kosovë javën e kaluar [Pyetjet janë dërguar më 27 korrik, disa ditë pas vizitës në Kosovë]. Zyra e Kryeministrit Kurti konfirmoi se keni diskutuar për prokurorët nga komuniteti serb dhe pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës. Cili ishte qëndrimi juaj për këtë çështje? A ishte një veprim i gabuar largimi i zyrtarëve të komunitetit serb nga pozitat e tyre në vitin 2022 dhe a e mbështesni Kosovën në shpalljen e një konkursi të ri për ato pozita vakante, për të cilat do të mund të aplikonin edhe serbë tjerë, në vend që në punë të kthehen të njëjtët persona pa një konkurs të ri publik?

Sorensen: Si rregull i përgjithshëm, unë nuk i bëj publike takimet e mia. Bashkëbiseduesit e mi mund ta bëjnë këtë, por unë jo. Shpeshherë, diplomacia e heshtur është ajo që i shërben më së miri procesit. Për sa i përket çështjes që gritët, qëndrimi i BE-së është i qartë dhe publik. Vetë Kushtetuta e Kosovës kërkon një sistem drejtësie shumetnik. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës – në përputhje me ligjin e Kosovës dhe me marrëveshjet e Dialogut, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila është në fuqi që nga viti 2017. Ne e mirëpritëm tërheqjen e dorëheqjeve të gjykatësve dhe prokurorëve serbë të Kosovës më 15 korrik. Ne shprehëm shqetësim për atë që pasoi. Pranimi i dorëheqjeve që tashmë ishin tërhequr duket se bie në kundërshtim me vetë ligjin e Kosovës dhe me procedurat e rregullta ligjore. Kjo është çështje që lidhet me sundimin e ligjit, jo me politikën.

Nuk do t’i rikthehem çështjes së vitit 2022 dhe nuk do të përshkruaj procedurën. U takon institucioneve të Kosovës të veprojnë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e tyre. Ajo që do të vlerësojë BE-ja është rezultati: një sistem gjyqësor dhe prokurorial vërtet multietnik, në të cilin komuniteti serb i Kosovës përfaqësohet në mënyrë efektive – dhe të cilit i beson.

Gazeta Express: Çfarë po ndodh me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit-Brukselit, konkretisht me Aneksin e saj të Zbatimit?

Sorensen: Zbatimi nuk është në nivelin ku duhet të jetë. Dhe zbatimi nuk është “opsional”. Të dyja palët e dinë këtë; BE-ja dhe shtetet anëtare e kanë thënë këtë shumë herë. Marrëveshja e vitit 2023 dhe Aneksi i saj mbeten në fuqi. Ato janë ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët dhe përbëjnë një pjesë integrale të rrugëtimit evropian të secilës palë. Kalimi i kohës nuk ndryshon asgjë.

Gazeta Express: A mbetet ende qëndrimi zyrtar i Bashkimit Evropian se Kosova duhet të jetë e para që fillon zbatimin e Marrëveshjes, në përputhje me Aneksin e Zbatimit të rënë dakord?

Sorensen: Nuk bëhet fjalë për atë se kush e bën lëvizjen e parë. Asnjëra palë nuk ka nevojë të presë tjetrën. Për Kosovën, Aneksi është i qartë, për shembull, lidhur me mënyrën e zbatimit të Nenit 7 – po citoj: “Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për marrëveshje dhe garanci specifike që sigurojnë një nivel të përshtatshëm vetëmenaxhimi për komunitetin serb”. Ky detyrim mbetet në fuqi. Detyrimet e Serbisë – përfshirë moskundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe pranimin e dokumenteve e simboleve të Kosovës – qëndron paralelisht. Të dyja janë njësoj të vonuara.

Gazeta Express: Cili duhet të jetë hapi i parë që Kosova duhet të ndërmarrë si pjesë e zbatimit të Marrëveshjes?

Sorensen: Për të treguar transparencë lidhur me detyrimet e veta. Kjo nuk është një koncesion, por një zotim i marrë lirshëm. Dhe vetë fillimi nuk e paragjykon rezultatin.

Gazeta Express: A ia keni bërë të qartë Kryeministrit Kurti se Kosova duhet të jetë e para që ecën përpara me zbatimin e Marrëveshjes; nëse po, cili është qëndrimi i tij?

Sorensen: Siç e thashë, nuk bëhet fjalë që Kosova të bëjë hapin e parë. Të dyja palët duhet të veprojnë – pa parakushte dhe me mirëbesim. I kam bërë të qarta pritshmëritë e BE-së para çdo bashkëbiseduesi në Prishtinë, ashtu siç kam bërë edhe në Beograd: në çdo nivel, në mënyrë të qëndrueshme dhe pa ambiguitet. I takon Kryeministrit ta shprehë publikisht qëndrimin e tij; unë nuk do ta bëj këtë në vend të tij. Ajo që mund të them është kjo: detyrimi është i evidentuar, është i kuptuar dhe mbetet i papërmbushur.

Gazeta Express: A prisni ndonjë përparim së shpejti në Dialog, duke pasur parasysh gjuhën nxitëse që vjen nga vetë presidenti serb, si dhe nga ministra si znj. Paunoviq? Cili është komenti juaj lidhur me deklaratën për “spastrim etnik”?

Sorensen: Më lejoni të përsëris atë që BE-ja ka thënë zyrtarisht: në Evropë nuk ka vend për retorikë që mbron, arsyeton apo relativizon spastrimin etnik. Deklarata të tilla fyejnë viktimat dhe të mbijetuarit. Ato janë të papajtueshme me rrugëtimin evropian. Ato bien ndesh me detyrimet e marra vullnetarisht në këtë Dialog. Kjo vlen për gjuhën nxitëse, pavarësisht se nga cila palë vjen ajo. Fjalët e këtij lloji nuk janë pa kosto. Çmimin e tyre e paguajnë ata që duhet të jetojnë krah për krah me njëri-tjetrin shumë kohë pasi deklaratat të jenë harruar.

Gazeta Express: Kur mund të presim rifillimin e procesit të Dialogut në nivel të lartë?

Sorensen: Një takim i nivelit të lartë nuk është shpërblim dhe as mundësi për fotografi. Ai thirret kur mund të ndihmojë në arritjen e ndonjë rezultati – qoftë i madh apo i vogël. Përfaqësuesja e Lartë ka qenë e qartë: ajo është e gatshme ta thërrasë atë kur rrethanat ta lejojnë dhe kur të dy liderët të jenë të gatshëm për të sjellë rezultate konkrete. Nuk do të caktoj një datë për këtë. Të dyja palët e dinë saktësisht se çfarë nevojitet për të arritur aty.

Gazeta Express: A është në dijeni znj. Kaja Kallas për situatën në Dialog? A është ajo e kënaqur në cilësinë e drejtueses së Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS)? A mund të presim përfshirjen e saj në këtë proces, si pjesë e synimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?

Sorensen: Përfaqësuesja e Lartë është plotësisht e informuar – unë i raportoj asaj dhe normalizimi është një çështje thelbësore në agjendën e saj. Mandati im është ta lehtësoj dhe ta mbështes atë; i saj është të përcaktojë drejtimin politik dhe ajo angazhohet në nivelin e saj kur është e dobishme. Megjithatë, do të doja të tërhiqja vëmendjen kundër supozimit se angazhimi në nivele më të larta të zinxhirit të BE-së mund të zëvendësojë vendimet që vetëm Palët mund t’i marrin. Asnjë aktor i jashtëm nuk mund t’i zbatojë këto marrëveshje në emër të tyre. Këtë mund ta bëjnë vetëm Beogradi dhe Prishtina.

JU REKOMANDOJMË

Apetit Group sqaron situatën lidhur me ngarkesat me mish nga Brazili

Apetit Group sqaron situatën lidhur me ngarkesat me mish nga Brazili
25/09/2026 - 19:21

Apetit Group ka sqaruar situatën lidhur me ngarkesat nga Brazili, duke deklaruar se asnjëra nga këto ngarkesa nuk ka hyrë në procedurë importi në Kosovë, Mal të Zi,...

Më shumëDetails

‘‘Joe Biden e tradhtoi’’, Endrit Thaçi e ndan fjalimin e Edi Ramës në New York

‘‘Joe Biden e tradhtoi’’, Endrit Thaçi e ndan fjalimin e Edi Ramës në New York
25/09/2026 - 19:14

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në New York, është shprehur se ish-Presidenti Joe Biden e ka tradhtuar Hashim Thaçin, i cili u dënua me 25 vite...

Më shumëDetails

Krejt Kosova UÇK – Në qytete të ndryshme protestohet njëkohësisht kundër verdiktit të Speciales

Krejt Kosova UÇK – Në qytete të ndryshme protestohet njëkohësisht kundër verdiktit të Speciales
25/09/2026 - 18:11

Komunat e Kosovës po protestojnë edhe në shi kundër verdiktit të Gjykatës Speciale. Në disa komuna të Kosovës po mbahen protesta të organizuara nga Organizata e Veteranëve të...

Më shumëDetails

Lushtaku nga protesta në Skenderaj: Turpi më i madh që Donika Gërvalla të jetë në Qeverinë e Kosovës

Lushtaku nga protesta në Skenderaj: Turpi më i madh që Donika Gërvalla të jetë në Qeverinë e Kosovës
25/09/2026 - 18:03

Kryetari i Skenderajt dhe ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, ka deklaruar se është e turpshme që ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, të jetë pjesë e Qeverisë së Kosovës....

Më shumëDetails

Protesta për çlirimtarët, Bulliqi: Dikur ata luftuan për lirinë tonë, sot jemi bashkë për lirinë e tyre

Protesta për çlirimtarët, Bulliqi: Dikur ata luftuan për lirinë tonë, sot jemi bashkë për lirinë e tyre
25/09/2026 - 17:49

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka folur para qytetarëve të tubuar në protestën në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bulliqi tha se lufta e UÇK-së...

Më shumëDetails

Kuvendi njofton për seancën e së hënës, në rend dite miratimi i Deklaratës për vendimin e Hagës

KDI: 5 mijë mungesa të deputetëve në këtë legjislaturë dhe 32 ligje të kontestuara në Gjykatën Kushtetuese
25/09/2026 - 17:17

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë të hënën, më 28 shtator, seancë plenare, e cila do të nisë në ora 11:00 në Sallën e Seancave.Sipas njoftimit...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Publikohet për herë të parë snajperi me të cilin policët qëlluan terroristët serbë me 24 shtator

    Publikohet për herë të parë snajperi me të cilin policët qëlluan terroristët serbë me 24 shtator

    191 Shpërndaje
    Shpërndaje 76 Tweet 48
  • “Seks or*l me detyrim, drogë me shokët e shefit, trafikim”-Supremeja vërteton dënimin me burgim për pronarin e stript-klubit

    88 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22
  • A do të marrë pjesë në protestat kundër vendimit të Speciales? Kjo është përgjigjja e Kurtit

    86 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 22
  • Haxhiu e ka dërguar në Qeveri projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

    86 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 22
  • Plas sherri mes Lalës dhe Rexhajt: Meriton të rrihesh siç të rrihte Buzhala, por s’i ndyj duart me ty

    82 Shpërndaje
    Shpërndaje 33 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë