
Sot në Bruksel do të mbahet takimi i nivelit të lartë të dialogut Kosovë – Serbi, ku me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian pritet të përballen kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Zyra e informacionit e BE-së ka bërë të ditur se takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit do të fillojë në orën 10:30, me pjesëmarrjen edhe të emisarit special evropian për dialogun Miroslav Lajçak.
Po ashtu shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do të zhvillojë takime të veçanta me secilin lider, për të cilat do të japë detaje pasi do të deklarohet për mediat.
Dje Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime ndarazi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe më vonë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, si dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Takimi i sotëm është i treti me radhë për Kurtin dhe Vuçiqin në kuadër të negociatave në Bruksel, pasi ata janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.
Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.











