Tashmë edhe zyrtarisht Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës ka konfirmuar se pasaporta kosovare do të njihet dhe pranohet nga shteti spanjoll, në një përgjigje për gazetën prestigjioze “El Pais”; ndonëse në pyetjen se “pse?” kanë ndryshuar këtë qëndrim, autoritetet spanjolle nuk kanë dhënë shpjegim.
“El Pais” e citon së pari Zëvendës Kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, teksa thotë se njohja e pasaportës së Kosovës është konfirmuar në një përgjigje me shkrim për ta.
Mes tjerash, gazeta spanjolle rikujton deklarimin – jo shumë kohë më parë – të Ministrit të Jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Albares i cili shprehej se duke qenë se “Spanja ka një politikë mosnjohëse ndaj Kosovës” kjo edhe nënkupton rrjedhimnisht “mosnjohje të pasaportave të Kosovës…mosnjohje që e kemi mbajtur vazhdimisht”.
“Pyetur nga EL PAÍS, Ministria e Punëve të Jashtme spanjolle ka konfirmuar pranimin e pasaportës së Kosovës në doganat spanjolle, edhe pse nuk shpjeguan arsyet që kanë çuar në këtë ndryshim, i cili përfshin modifikimin e rregulloreve për dokumentacionin”, shkruan gazeta spanjolle.
“Qeveria spanjolle vitet e fundit e ka kushtëzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës me një marrëveshje me Serbinë, por ka siguruar se kjo nuk do të pengojë afrimin e Qeverisë së Prishtinës me Bashkimin Evropian”.
“Kështu, Qeveria spanjolle ka pranuar pjesëmarrjen e autoriteteve të Kosovës në samitet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, por duke përjashtuar flamujt dhe shenjat dalluese të shtetit të Kosovës. I fundit nga këto samite u mbajt më 13 dhjetor në Bruksel, nën Presidencën spanjolle të Unionit Evropian”, vijon artikulli.
Kujtojmë se deklarimet shtetërore spanjolle ishin që edhe pas liberalizimit të vizave Spanja do të vazhdonte me mosnjohjen e pasaportave kosovare, për shkak se, siç thonin ata, Kosova për ta “është vetëm një territor me të cilin BE ka marrëdhënie” dhe se do të qëndronin në linjën e tyre të kahershme mohuese dhe mosnjohëse.













