Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, iu bashkuan sot festiviteteve të 113-vjetorit të Pavarësisë në Shkodër, në një ngjarje që mbledhi shumë qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve.
Në mes të atmosferës festive kuqezi, gjatë ceremonisë në “Sofrën e Pavarësisë”, Spiropali theksoi se “sot më shumë se kurrë më parë, Shkodra qëndron e palëkundur si një simbol i pathyeshëm i unitetit e bashkimit kombëtar”.
Ministrja gjithashtu mirëpriti me entuziazëm Presidenten Osmani, duke e përshëndetur me fjalë të ngrohta.
“Sofra e shqiptarit i përket mikut. Asnjë shprehje nuk rrok më fort shpirtin tonë të mikpritjes. Veçse, ju, e nderuar Vjosë, në këtë qytet vërtet jeni mike, por jo mysafire. Sepse ju, ashtu si të gjithë bashkëkombasit tuaj, vëllezërit e të njëjtit gjak, këtu jeni në shtëpinë tuaj”, u shpreh ajo.
Në fjalimin e saj, Spiropali theksoi rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta të shqiptarëve për të arritur aspiratat kombëtare.
“Zotimi ynë më i madh, në këtë 28 Nëntor, është që ta shndërrojmë flamurin tonë në flamurin e 28 që valëvitet krenar në Bruksel”, theksoi ajo.
Ministrja theksoi se Shqipëria është më pranë se kurrë realizimit të aspiratës mbarëkombëtare të shqiptarëve, duke nënvizuar se ky është një moment historik, i arritur me mundin e paraardhësve dhe me angazhimin e brezit të tanishëm.
“Por, për të bërë realitet këtë ëndërr, duhet të vazhdojmë me kokëfortësi rrugën e reformave, forcimin e shtetit të së drejtës, modernizimin e ekonomisë, dhe afrimin e standardeve tona me ato europiane”, tha Spiropali.














