Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se në seancën e re të së enjtes, kjo parti do ta propozojë një draft-rezolutë për Policinë e Kosovës.
Siç u shpreh ai, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Policia e ka bërë gjithë vendin krenar në sulmin e fundit në Banjskë, prandaj është e rëndësishme që ta marr edhe trajtimin që meriton.
Me këtë rezolutë, Qeveria do t’ua paguajë policëve shtesat, ata do të kenë sigurim shëndetësor nga 1 janari i vitit të ardhshëm, si dhe do të hyjë në fuqi Ligji për pensionim të parakohshëm të Policisë.
Ndërsa, i pyetur për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Tahiri ka thënë se i duket i pakuptimtë votimi i tyre, kur Kosova është ende nën sanksione nga BE-ja e asnjëra nga marrëveshjet s’do të zbatohet.
“Do të propozojmë në seancën e së enjtes, seancës së re, një draft-rezolutë e cila merr përsipër një agjendë për Kuvendin e Kosovës e cila lidhet ekskluzivisht me Policinë e Kosovës”.
“Kjo draft-rezolutë e cila e obligon Qeverinë t’i përfundojë shtesat, që nuk janë paguar tash e tetë muaj, për Policinë. Është shumë e rëndësishme dhe obligim ligjor”.
“Pika e dytë, do të jetë që nga 1 janari, 2024, ta buxhetojë buxhetin për sigurime shëndetësore për Policinë. Kjo do të duhej të ndodhte për të gjithë qytetarët, por pasi kjo nuk është e mundur, të fillojë se paku me Policinë”.
“Po ashtu, Ligji për pensionim të parakohshëm të Policisë së Kosovës, që duhet të hyjë në fuqi jo më pak se 30 ditë nga miratimi i rezolutës”.
“Me këtë rezolutë, rritet efikasiteti dhe e tregojmë seriozitetin ndaj këtij institucioni si shtet. E pamë se sa e rëndësishme është Policia, nga sulmi terrorist që ndodhi në Kosovës. Prandaj, është e rëndësishme që këta njerëz që po na bëjnë krenarë, ta marrin edhe trajtimin e merituar”.
“Nuk ka kuptim t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare kur Kosova është ende nën sanksione e asnjë marrëveshje nuk do të zbatohet”, ka thënë ai.












