Me datën 14 shtator pritet të mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Ky takim është i pari i nivelit të lartë pas tensioneve që shpërthyen muajt e fundit në veri të vendit.
Bashkimi Evropian ka ‘zbardhur’ edhe agjendën e këtij takimi.
Në njoftimin e BE-së bëhet e ditur se fillimisht Borrell e Lajçak do të kenë takim ndaras me liderët pastaj do të pasojë takimi trepalësh.
‘Takimet ndaras do të nisin në orën 09:00 e pastaj do të jetë takimi trepalësh. Takimi do të jetë i fokusuar në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”, thuhet në njoftim.
Ndërsa pas takimeve është paralajmëruar deklaratë për media nga kryediplomati evropian, Borrell.
Në lidhje me këtë takim ka folur për “Gazeta Blic” deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli.
Humolli deklaroi se nuk pret asnjë rezultat nga ky takim dhe se e gjithë kjo që po ndodh është një lloj ‘drame’ që po luan Evropa me Kosovën.
“Jo, nuk pres rezultat. Kjo është një lloj drame që po luan Evropa me Kosovën dhe asgjë e re. Është një lojë që po bëjnë me shqiptarët në tërësi dhe si rezultat i kësaj loje edhe ata luajnë me ne” tha shkurt Humolli .
Pas tensioneve në katër komunat veriore, me 10 korrik BE-ja dhe Kosova arritën një marrëveshje për deeskalim.
Pjesë e kësaj marrëveshjeje me katër pika ishte edhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në veri.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka hartuar Udhëzimin Administrativ për iniciativën qytetare për largimin e kryetarëve nga katër komunat veriore.
Ministri Krasniqi ka thënë se Udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale.













