Nesër në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e New York-ut, Alon Ben Meir, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se prej muajsh ka presion ndaj Kosovës e Serbisë për pranimin e planit evropian, që do të hapë mundësi për arritjen e një marrëveshjen dhe hapjen e disa temave që nuk janë ende në tryezë, si Trepça e Ujmani.
“Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania prej muajsh po i bëjnë presion Kosovës dhe Serbisë që të pranojnë propozimin franko-gjerman. Kjo do të lejojë rifillimin e një dialogu të ri mes tyre, i cili do të hapë më shumë se gjasa mundësi të reja për arritjen e një marrëveshjeje për disa çështje konfliktuale që nuk janë në tryezë në këtë pikë. Kjo përfshin një marrëveshje për shembull për minierat e Trepçës dhe shpërndarjen e liqenit të Ujmanit, ndër të tjera”, thekson ai.
Por, ai vlerëson se e rëndësishme është që në këtë takim do të finalizohet nënshkrimi i planit franko-gjerman dhe se SHBA dhe BE ia kanë bërë të qartë Kurtit e Vuçiqit që do të ketë pasoja nëse e refuzojnë atë.
“Megjithatë, më e rëndësishmja është se takimi pritet të finalizojë nënshkrimin e propozimit franko-gjerman. Duhet të theksojmë në këtë kontekst se BE-ja dhe SHBA-ja ia kanë bërë të qartë Kurtit dhe Vuçiqit se do të ketë pasoja nëse vazhdojnë të refuzojnë planin franko-gjerman”, potencon eksperti amerikan për Gazeta Blic.
Ben Meir shton se palët duhet të vazhdojnë dialogun për të arritur marrëveshje për shumë çështje dhe se njohja e ndërsjellë mund të marrë disa vite që të ndodhë, teksa mendon se Vuçiq nuk mund ta bëjë atë pa e pranuar dhe Putin, derisa ai është në pushtet.
“Edhe pse plani i propozuar franko-gjerman është një hap i rëndësishëm në procesin e normalizimit, të dyja palët duhet të vazhdojnë dialogun e tyre për të çuar më tej marrëdhëniet e tyre dypalëshe dhe për të arritur marrëveshje për një mori çështjesh. Njohja e ndërsjellë është, natyrisht, një çështje krejtësisht e ndryshme që mund të marrë disa vite për t’u materializuar. Është e panevojshme të thuhet se Vuçiq nuk do të vendosë të njohë pavarësinë e Kosovës për sa kohë që Putini i Rusisë është në pushtet. Unë nuk e shoh se si Vuçiç mund të veprojë vetë pa pranimin e Putinit”, deklaron ai./Gazeta Blic/











