Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të marte priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Zyra e Kryeministrit bën të ditur se Kurti e njoftoi Lajçakun se është në përfundim të përgatitjeve për aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Mes tjerash thuhet se mbarëvajtja dhe dinamizimi i procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, elementet e kornizës themelore të marrëveshjes, zhvillimet e fundit në Kosovë dhe çështje tjera aktuale ishin temat kryesore të takimit.
“Kurti e falënderoi Lajçakun për angazhimin e tij në dialog, ndërsa ritheksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.
Mes tjerash, në njoftim thuhet se Kurti ka ritheksuar qëndrimin e Qeverisë për sundimin e ligjit dhe se vazhdojnë të jenë të përkushtuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.













