Konsumimi i tepërt i alkoolit po i fut në telashe qytetarët kosovarë, të cilët shpesh herë humbin kontrollin mbi veprimet e tyre duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme. Një rast i tillë ku janë përfshirë dy persona, ka ndodhur së fundi në qytetin e Prizrenit, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Indrit Caja Kavaja’, ku dy persona dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete me ç’rast kanë pësuar lëndime trupore. Për shkak të kësaj, ata kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur që të arrestojnë personat e dyshuar. Dy burrat në stacion policor është dashur t’i nënshtrohen testit të alkoolit, mirëpo njëri nga të dyshuarit ka refuzuar që të kryejë atë, ndërsa i dyshuari tjetër ka rezultuar në gjendje të dehur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.













