Gjatë Luftës së Bosnjës 1992-1995, që është një nga konfliktet më të përgjakshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, shumica e luftimeve rezultuan nga tensionet etnike midis serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve, tre grupet kryesore etnike të vendit.
Ishte veçanërisht e vështirë për Mostarin, një nga qytetet më divers në aspektin kulturor dhe arkitekturor në Bosnjën e paraluftës, i cili u përball me bombardime gjatë konfliktit dhe humbi shumë nga banorët e tij.
Por, sot të mbijetuarit e një prej kampeve më të ashpra të përqendrimit të Luftës së Bosnjës, kampit Heliodrom, janë të zemëruar që në vend të tij do të ndërtohet një muze, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
Zemërimi i tyre shtohet nga fakti se muzeu nuk do të përkujtojë vuajtjet e tyre, por do të nderojë ushtrinë që i mbajti kundër vullnetit të tyre, duke përfshirë torturimin dhe vrasjen e të burgosurve.
“Imagjinoni sikur forcat e armatosura gjermane të kishin muzeun e tyre në një ish-kamp përqendrimi? Është e neveritshme,” kishte deklaruar për Euronews Edin Batlak, kreu i shoqatës së ish-të burgosurve.
Kampi Heliodrom, u themelua gjatë rrethimit të qytetit të Mostarit në 1993-1994 nga Këshilli Kroat i Mbrojtjes ose HVO. Kështu, një ish kompleks i aviacionit ushtarak u shndërrua në një objekt burgu dhe u përdor nga HVO për të arrestuar vendasit që ata konsideronin se ishin kundër kauzës së tyre, por edhe si një mjet për të përhapur frikën midis popullatës lokale.
Për aq kohë sa ekzistoi ky kamp, aty u mbajtën rreth 10,000 njerëz, kryesisht burra, por edhe gra e fëmijë. Të paktën 54 persona u vranë ose vdiqën nga keqtrajtimi.
“Më shumë se 90% e njerëzve të mbajtur atje ishin civilë të cilët në thelb u nxorën nga shtëpitë dhe banesat e tyre, me pizhame dhe në disa raste zbathur, u mblodhën në stadiumin në pjesën perëndimore të Mostarit dhe më pas u dërguan në Heliodrom”, shpjegoi Batlak.
Pse të ndërtohet një muze atje?
Por sot, me qëllim që të parandalohet që grupet etnike të Bosnjës dhe Hercegovinës të përballen sërish me njëri-tjetrin, sistemi politik i pasluftës në Bosnje dëshiron të ketë balancë etnike që sigurojnë se të gjitha palët të jenë të lumtura. Andaj, kjo është arsyeja pse tre etnitë e luftës tani mund të zgjedhin një vend, kudo, ku mund të hapin një muze kushtuar ushtrive të tyre përkatëse.
Megjithatë, jo të tria palët kryen krime lufte në mënyrë të barabartë. Viktimat boshnjake në Mostar, ishin shumë më të mëdha se grupet e tjera për sa i përket viktimave dhe kjo është arsyeja pse kundërshtohet ndërtimi i një muzeu të tillë.
Përderisa Bosnja u përpoq të ruante rendin e saj të pasluftës, ata që kryen krime gjatë luftimeve u ndoqën penalisht në Hagë sipas standardeve më të larta ligjore ndërkombëtare. Rasti i Prlić dhe të tjerë ndoqi penalisht krime lufte të kryera në Bosnjën jugperëndimore, duke përfshirë ato në kampin Heliodrom.











