Biznesmeni Bujar Shabani ia ka parë hairin ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet, subjektit të cilit i takon dosti i tij, Hysen Durmishi.
Ai do të arkëtojë rreth 190 mijë euro në vit nga Telekomi i Kosovës – meqë i lëshoi kësaj ndërmarrjeje që menaxhohet nga Qeveria (LVV) – një objekt të tijin me qira, raporton “Front Online”.
Prona e tij dy katëshe në sheshin “Zahir Pajaziti” u përzgjodh para disa jave si më e mira e mundshme për nevojat e kompanisë së telekomunikacionit, ani se zyrtarët e Telekomit pranuan edhe katër oferta tjera për lokacione.

Pronësinë e lokalit e kuptoi fillimisht përmes burimeve Front Online. Informata u konfirmua pastaj edhe nga Zyra për Medie e Telekomit.
“Pronar i objektit është kompania NPSH Bageri”, thanë shkurt nga Telekomi për “Front Online”.
Bageri është në pronësi të biznesmenit Bujar Shabani.
Front Online kishte raportuar dy javë më parë se ishte vetë numri dy i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ai që ia dhuroi një kontratë 8.6 milionë euro këtij biznesi, pronë e shokut të tij.
Ndikimin në epilogun e tenderit, që parasheh asfaltimin e një loti në rrugën Prishtinë – Besi – Podujevë, e pati mohuar Durmishi.
Kompania Bageri merr vazhdimisht tenderë milionësh nga shteti.













