Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e shtatë ditë vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara. Serbët lokalë kanë ngritur edhe një tjetër barrikadë krejt afër fshatit Çabër në drejtim të Zubin Potokut, ku kanë vendosur dy kamionë, shkruan Gazeta Sinjali.
Qeveria e Serbisë ka miratuar të enjten kërkesën, e cila do t’i dërgohet misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për lejimin e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.
Ky vendim është marrë pas mbledhjes që ka mbajtur Qeveria e Serbisë, në të cilën ka marrë pjesë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
KFOR ka konfirmuar se e ka pranuar një letër të tillë.
“Kemi marrë një letër nga Serbia dhe aktualisht jemi duke e shqyrtuar. KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij në OKB”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL- UÇK-së, Faton Klinaku, thirri një konferencë të jashtëzakonshme për media sot, pas kërkesës së Serbisë parashtruar KFOR-it që t’i dërgojë në Kosovë njëmijë trupa.
Ai tha se nëse dikush mendon t’ia realizojë këtë kërkesë Serbisë, “ne i kemi dalë përballë 100 mijë trupave gjatë kohës së luftës në Kosovë, e natyrisht që do t’i dalim përsëri përpara dhe do të ballafaqohen edhe ushtarakisht me neve si luftëtarë të UÇK-së”.
Ndryshe, situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit është e brishtë. Qytetarët serbë nuk po lejohen të lëvizin lirshëm nga bandat kriminale që po qëndrojnë në barrikada.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.













