Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka filluar inicimin për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, përmes së cilave qytetarëve iu mundësohet tërheqja e mjeteve nga TRUST-i deri në 30 për qind, dhe kjo sipas tij nuk duhet të trajtohet me inate politike.
Haxhiu në një prononcim për GazetaBlic tha se, tërheqja e parave nga Trusti është kërkesë e qytetarëve dhe arsye e fortë që pozita dhe opozita të bëhen bashkë, në mënyrë që të kalohet sa më lehtë kriza ekonomike që ka kapluar vendin.
“Kërkesa e qytetarëve për të tërhequr deri 30% të mjeteve nga Trusti, nuk duhet të trajtohet me inate politike, kjo temë, kjo kërkesë duhet të na bashkoj opozitë dhe pozitë për të ndihmuar qytetarët në krizën ekonomike aktuale”, u shpreh Haxhiu.
Haxhiu thotë se paratë e Trustit nuk janë “sekser të mafias energjetik”, drejtuar këtu ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishaj.
“Parat e Trustit nuk janë lojë bixhozi “me shance”, as nuk janë para të “sekserve të mafias energjetik” me i qit “Martinqe” jashtë Kosovës përmes Serbisë në Mal të Zi, e prej atje ne Slloveni, por janë para te kursimeve të qytetareve dhe kërkesë e qytetarëve është ta marrin pak nga kursimet e tyre për të përballuar krizën ekonomike”.
Krahas kësaj, Haxhiu pati një kundëpërgjigje edhe për shefen e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilën, për të cilën shprehet se nuk mundet të ndikojë në votën e deputetëve.
“Ndonse Mimoza ka përvojë në proceset e privatizimeve, nuk po besoj se ka arrit deri aty sa të privatizoj bindjet, vullnetin dhe votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.Me aq sa unë kam përvojë në Kuvendin e Kosovës në pesë mandate deputet, e di, se e drejta e votës së deputetëve nuk është privatizuar asnjëherë nga shefat e grupeve parlamentare, deputetët janë të lirë të votojnë në interes të qytetarëve”.
Krejt në fund, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës thotë me plotë bindje se kërkesa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është e qytetarëve dhe deputetët do ta mbështesin.
“Kërkesa për tërheqjen e mjeteve nga Trusti është e qytetarëve dhe deputetët që e konsiderojnë vetë përfaqësues të popullit do e mbështesin kërkesën e qytetarëve për terheqjen e mjeteve nga Trusti”, përfundoi Haxhiu për GazetaBlic.













