Ish-deputetja dhe bashkëthemeluesja e LDK-së, Melihate Termkolli, ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës Presidente të Kosovës, duke e cilësuar LDK-në si “humbësen e madhe”.
Termkolli ka kritikuar zhvillimet politike që çuan në zgjedhjen e presidentes, duke e cilësuar marrëveshjen mes Vetëvendosjes dhe PDK-së si të dëmshme për Kosovën.
“Mbrëmë kah zyrat e saj nuk kaloi kush as gjë tjetër veç hijes së një lubie, hijenave që hanin njëri-tjetrin dhe do ‘hafijeve’ për t’ia vënë drynin! Dëm i madh për Kosovën!”, ka shkruar ajo.
Termkolli, e cila ishte pjesë e themelimit të LDK-së, ka thënë se zhvillimet e fundit janë veçanërisht të dhimbshme për ata që, sipas saj, e ndërtuan këtë parti si një lëvizje për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“E rëndë, e dhimbshme deri n’kupë t’qiellit, veçmas për ne që e bëmë LDK-në, lëvizje-parti të dritës, të lirisë e pavarësisë së Kosovës-Dardanisë tonë!”, ka shkruar Termkolli.
Në fund, ajo ka përfunduar reagimin me urimin: “Zoti e bekoftë Dardaninë!”, duke përdorur edhe hashtagët #MakeDardaniaAgain dhe #MDA.














