Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Thellohet skandali i Martin Berishajt, thellohen edhe hetimet – krerët e shtetit s’e lëshojnë ambasadorin

12/01/2023 - 17:35
në Lajme
A A
Edhe mediat kroate raportojnë për skandalin e Martin Berishaj
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Miliona euro transaksione nëpër banka dhe qindra mijëra të bartura cash mes Kosovës, Malit të Zi e Sllovenisë. Ky është skandali i shpëlarjes së parave në të cilin dyshohet se është përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që po raportohet tash e një vit gati në media. Për presidenten dhe kryeministrin, që e dërguan si përfaqësues diplomatik në Zagreb, ai është krejt i pafajshëm.

Raportimet e fundit e implikojnë edhe Kurtin dhe partinë e tij. Ndërkohë, në Prokurorinë Speciale qëndrojnë dy kallëzime penale për këtë skandal dhe disa hetime kanë nisur. Kurti nuk ka folur së fundmi, ndërsa kryeshefi i KEK-ut, që u raportua si i implikuar në këtë skandal, tha “mos më shqetësoni”.

Martin Berishaj në dhjetor të vitit 2021 u bë ambasador i Kosovës në Kroaci, por veç në prill të vitit pasues emri i tij u bë i njohur gjerësisht në Kosovë. Kjo pasi më 21 prill 2022, mediumi slloven “Planet TV” do të raportonte për një skandal të madh financiar. Emri i Berishajt u përfshi në një aferë financiare të kryemininistrit të tashëm të Sllovenisë, Robert Golob.

U raportua se Golob po hetohej ndërkombëtarisht për shkak të disa transaksioneve financiare nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven, GEN-I, të cilat kishin për adresë kompaninë “MB Consulting” të Martin Berishajt në Mal të Zi.

Berishaj, përmes “MB Consulting” raportohej se kishte marrë 600 mijë euro, të cilat i kishte tërhequr të gatshme dhe supozohej se do t’ia dërgonte ato para Golobit, në mënyrë që atëherë politikani opozitar slloven t’i investonte në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Berishaj i mohoi akuzat, Kurti dhe Osmani e morën në mbrojtje

Berishaj i kishte mohuar akuzat dhe kishte paralajmëruar padi ndaj gazetarit slloven që e kishte publikuar shkrimin.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politikë, i z.Jansha dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, kishte shkruar Berishaj në një postim në Facebook.

Pothuajse paralelisht me të kishin reaguar edhe kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, duke i dalë në mbrojtje. Kurti tha prerazi se pretendimet ishin të pavërteta.

“Zëdhënësi ynë i qeverisë e ka dhënë qëndrimin, e po ashtu ambasadori Berishaj me të cilën tregon që ato janë të pavërteta dhe se do ta padis mediumin, i cili ka shpifur asisoj”, kishte deklaruar Kurti.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, paraprakisht kishte thënë se duhej pasur kujdes lidhur me pretendimet për përfshirjen e ambasadorit Berishaj në skandalin e raportuar financiar.

“Ambasadori ynë në Kroaci, Martin Berishaj i ka mohuar akuzat e bëra në drejtim të tij duke paralajmëruar po ashtu edhe padi ndaj mediumit slloven që ka bërë një raportim të tillë. Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”, pati thënë ai.

Presidentja Vjosa Osmani kishte thënë se i besojnë ambasadorit Berishaj. Ajo i kishte konsideruar dezinformata raportimet e para.

“Është për keqardhje që ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovës, e cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore”, kishte thënë Osmani.

Opozita kërkoi shkarkimin e Berishajt

Opozita kishte kërkuar fillimisht shkarkimin e ambasadorit dhe një hetim për këtë çështje.

Nënkryetarët e PDK-së, Vlora Çitaku dhe Uran Ismaili në një konferencë për media kishin folur rreth skandalit që e quajtën “Karteli i Rrymës”.

Ismaili thoshte se kjo aferë lidhet me majat e institucioneve dhe partisë në pushtet, prandaj dhe kërkonte hetim të hollësishëm parlamentar.

“Sot jemi këtu për ta ngritur zërin në emër të qytetarëve dhe për ta dënuar aferën e ‘Kartelit të Rrymës’, që tani ka depërtuar në majat më të larta të institucioneve dhe të partisë në pushtet”, shprehej ai.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thoshte se “shpërthimi i skandalit me ambasadorin në Slloveni dhe tani zgjerimi i tij edhe në rajon, është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend”.

“Do ta zbardhim të vërtetën herët apo vonë”, shkruante kreu i LDK-së.

Edhe Ramush Haradinaj mendonte se arsyeja pse LVV refuzonte krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e rrymës lidhej me ambasadorin Berishaj.

“A po pengohen organet e rendit dhe drejtësisë të veprojnë sipas ligjit në këtë skandal? Ku janë kufijtë moral të Kryeministrit dhe Presidentes. Nëse jemi në pritje të një epilogu eventual të organeve të drejtësisë, pyetja ime është a kanë kufij moral këta”, shkruante ndër tjerash kryetari i AAK-së.

Shkarkimi i ambasadorit u kërkua edhe në një seancë parlamentare.

Një hetim nisi

Agjencia Kundër Korrupsionit kishte nisur po në prill nisur hetimet për verifikimin e pasurisë së ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Prokuroria Speciale nisi hetimin preliminar të ambasadorit Martin Berishaj. Ai po hetohej jo veç për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë.

Agjencia Kundër Korrupsionit paraprakisht kishte dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit një kallëzim penal që trajton vetëm çështjen e deklarimit të pasurisë, por një hetim tjetër preliminar në lidhje me këtë rast kishte nisur.

Në mars, mediat malazeze raportuan se ishin bllokuar xhirollogaritë e kompanisë së ambasadorit, për shkak të një borxhi prej 31,014 euro.

Ambasadori Berishaj vazhdoi punën

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte thënë në korrik se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i ka raportuar me shkrim për rastin e implikimit në një aferë të pastrimit të rreth 600 mijë eurove nëpërmjet kompanisë së tij.

Gërvalla pati thënë se këtë raport e ka krahasuar me raportet e tjera dhe nuk ishte konstatuar ndonjë shkelje.

“E kam takuar, që atëherë më ka raportuar me shkrim versionin e tij. E kam krahasuar versionin e tij me Slloveninë, Kroacinë etj. Ambasadori Berishaj vazhdon punën. Nëse në të ardhmen jo vetëm për Berishajn, por për cilindo ambasador do të konstatojmë shkelje ligjore, natyrisht që do të marrim masa”, shprehej Gërvalla gjatë një konference për media.

Berishaj erdhi në Prishtinë për të raportuar

Në nëntor, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj erdhi në Prishtinë. Ishte ftuar të raportonte në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

Aty, Berishaj kishte mohuar akuzat për shpëlarje parash, duke thënë se i ka paditur disa mediume sllovene që kishin raportuar për këtë.

“’MBConsulting’ është një firmë që e kam formuar në vitin 2017 në Mal të Zi. Ajo nuk funksionon nga viti 2020. Ajo i ka kryer të gjitha obligimet, nuk ka hyrje-dalje, të gjitha obligimet të cilat kanë qenë në formë kontraktuale janë në mbyllje, nuk rezulton si ndërmarrje e cila qarkullon, nuk është e mbyllur fizikisht, sepse procedura në Mal të Zi është e tillë. Kur jam bërë ambasador as nuk më ka rënë ndërmend që të merrem me atë problem”, kishte deklaruar Berishaj.

Kishte pranuar se kishte punuar si këshilltar në “GEN-in” serb. Por, sipas tij, që prej kur ishte bërë ambasador nuk kishte pasur marrëdhënie kontraktuale me atë kompani.

Dyshimet e reja e implikojnë Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje

Prava, një medium slloven, raportoi këtë janar për të dhëna të reja në rastin ku implikohet edhe ambasadori Martin Berishaj. Aty pretendohet se rreth 100 milionë euro u shpëlanë nga kompania GEN-I.

Mediumi lidh transaksionet e parave nga GEN-I në Slloveni te filialet në Beograd, e më pas nga Beogradi në kompaninë “MB Consulting” të Martin Berishajt.

Është veçanërisht e rëndësishme të shikoni datat. Siç e keni vënë re në të dhënat e mësipërme, të gjitha transaksionet nga GEN-I slloven në filialin serb në Beograd kanë ardhur në vitin 2019. Nga janari 2019 deri në shtator 2020, Martin Berishaj ka bërë disa tërheqje cash’ në shumën prej 600 mijë eurosh nga llogaria e kompania e tij malazeze “MB Consulting”, shkruante ky medium.

“Prava” e bën një ndërlidhje mes transaksioneve të GEN-I dhe fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje, pa dhënë shumë informata.

Ka pasur disa sugjerime dhe informacione se paratë janë transferuar nga njëra nga filialet e GEN-I jashtë vendit për fushatën zgjedhore të kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, dhe se një pjesë e parave i ka shkuar një organizatë joqeveritare, thuhej në raportimin e mediumit slloven.

Qeveria i mohoi akuzat përmes zëdhënësit

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, reagoi pasi që mediat sllovene raportuan për të dhëna tjera të skandalit financiar, nga i cili raportohej se edhe kryeministri Albin Kurti ka përfituar miliona euro nga “GEN-i” për fushatën e LVV-së.

“Luka Pers, njëri ndër themeluesit e portalit Prava, është një pseudogazetar që ka punuar deri vonë për Nova24TV, organizatë lajmesh e ekstremit të djathtë. Portali është aq i parëndësishëm sa që mezi e gjen online … pretendimet e një portali të themeluar nga një pseudogazetar që ka punuar në një organizatë lajmesh të ekstremit të djathtë, llogaria në Tëitter i të cilët është suspenduar për shkak të shpërndarjes së lajmeve të rreme, patjetër se janë të pavërteta”, ka shkruar Kryeziu

Ai ka kritikuar edhe mediat në Kosovës të cilat e kanë shpërndarë raportimin e këtij mediumi.

Policia ngre kallëzim penal kundër ambasadorit Berishaj

Hetuesit e Policisë së Kosovës para pak javësh kanë ngritur kallëzim penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Kallëzimi penal u dorëzua në Prokurorinë Speciale, pas një hetimi preliminar që kishte nisur muaj më parë. Dyshohet se Berishaj kishte përfituar së paku 1.5 milionë euro nga “GEN-i” serb përgjatë viteve 2019-2022.

Këto para dyshohet se ishin transferuar në xhirollogarinë e kompanisë së Berishajt në një nga bankat në Kosovë si pagesa për konsulencë.

Për paratë e mbledhura, kompania e Berishajt thuhet se do të duhej t’i paguante shtetit tatime në vlerë prej 73 mijë eurove, gjë që s’ka ndodhur.

Hetuesit në Kosovë kanë kërkuar raport financiar edhe nga Mali i Zi, përmes Njësisë së Inteligjencës Financiare.

Skandali e përfshin edhe kryeshefin e KEK-ut.

Sipas një hulumtimi të Paparacit, kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi është implikuar në skandalin financiar ku ambasadori Martin Berishaj është tashmë personazh.

Emri i Krasniqit u përfshi në hetimet e Policisë së Kosovës ndaj ambasadorit. Në një raport të Hetuesisë në PK për hetimet ndaj ambasadorit Berishaj, hidhen dyshime për përfshirjen e Nagip Krasniqit në një rast korruptiv.

Krasniqi, i emëruar në krye të menaxhmentit të KEK-ut me mbështetjen e LVV-së kishte nënshkruar dy marrëveshje të cilat dyshohet t’i kenë shkaktuar dëme buxhetit të shtetit.

Në marrëveshjen e dytë, të nënshkruar me KESCO-n, KEK-u do t’ia delegonte kompanisë private turke, KESCO, kompetencat për tregtimin e energjisë elektrike për nevoja të konsumatorëve kosovarë.

Nagip Krasniqi kishte realizuar një vizitë në Kroaci në mars të vitit të kaluar, atje ku Berishaj shërben si ambasador i Kosovës. Hetuesit policorë dyshojnë se ata dy ishin takuar atje.

Nagip Krasniqi i ka kërkuar Expressit të mos e shqetësoj, pas një interesimi të gazetës për të marrë një koment nga ai mbi këto pretendime.

“Ju lutem mos më shqetësoni. E kam një rast në familje. Telefonojeni departamentin për media”, tha Krasniqi.

Numri i kontaktit në KEK ishte i paqasshëm./Express

JU REKOMANDOJMË

Gazetarja e RTK-së i reagon Kurtit: Ti flet për fjalën e lirë, ndërsa ne u larguam nga detyrat tona për shkak të fjalës së lirë

Gazetarja e RTK-së i reagon Kurtit: Ti flet për fjalën e lirë, ndërsa ne u larguam nga detyrat tona për shkak të fjalës së lirë
02/04/2026 - 18:41

Gazetarja e RTK-së, Blerta Foniqi Kabashi, i ka reaguar sulmeve të rënda të Albin Kurtit ndaj mediave si financiarisht të lidhura me Serbinë dhe se “duhet të mbrohet...

Më shumëDetails

A i është dhënë pushka në luftë Albin Kurtit? Kështu përgjigjet Sylejman Selimi

A i është dhënë pushka në luftë Albin Kurtit? Kështu përgjigjet Sylejman Selimi
02/04/2026 - 18:34

Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, është pyetur lidhur me angazhimin e kryeministrit Albin Kurti gjatë luftës në Kosovë. Ai tha se vlerëson çdo kontribut, sado i vogël, ndërsa...

Më shumëDetails

Behrami akuzon: Miqtë e Albinit dhe Donikës në Hagë po e shtyjnë qëllimisht verdiktin e Gjykatës Speciale

Behrami akuzon: Miqtë e Albinit dhe Donikës në Hagë po e shtyjnë qëllimisht verdiktin e Gjykatës Speciale
02/04/2026 - 17:25

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka thënë se Gjykata Speciale ka vendosur që të pranojë prova matriale nga prokuroria edhe pas përfundimit të fjalës përfundimtare. Behrami ka thënë...

Më shumëDetails

Mirena publikon foton e Kurtit me Gashin e Gjinovcin: Gjetje e saktë e Ramush Haradinajt

Mirena publikon foton e Kurtit me Gashin e Gjinovcin: Gjetje e saktë e Ramush Haradinajt
02/04/2026 - 17:07

Analisti Ilir Mirena ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti në Kuvend, duke i dhënë të drejtë kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, lidhur me akuzat për...

Më shumëDetails

KFOR-i zhvillon stërvitje me helikopterë në Pejë për rritjen e gatishmërisë

KFOR-i zhvillon stërvitje me helikopterë në Pejë për rritjen e gatishmërisë
02/04/2026 - 16:47

Ushtarët e caktuar në Komandën Rajonale-Perëndim (RC-W), pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, zhvilluan një stërvitje me helikopterë me qëllim rritjen e gatishmërisë operacionale dhe forcimin...

Më shumëDetails

AGK dënon retorikën nxitëse dhe akuzuese të kryeministrit Kurti kundër mediave dhe gazetarëve

AGK dënon retorikën nxitëse dhe akuzuese të kryeministrit Kurti kundër mediave dhe gazetarëve
02/04/2026 - 16:35

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, duke i cilësuar ato si retorikë nxitëse dhe akuzuese ndaj mediave dhe gazetarëve në...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Vendim i ri: Xhamat e zinj në vetura tashmë lejohen në Kosovë

    Vendim i ri: Xhamat e zinj në vetura tashmë lejohen në Kosovë

    108 Shpërndaje
    Shpërndaje 43 Tweet 27
  • Skandali 1.6 milionësh në KEK: Biznesmeni e zyrtari kurdisën në kafene tenderin e madh

    107 Shpërndaje
    Shpërndaje 43 Tweet 27
  • “Mjaft ma”, Gërvalla i gjuan fjalë Haradinajt pasi ky i tha Kurtit se “po rren” (VIDEO)

    98 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 25
  • ATK dhe Prokuroria nisin hetime mbi blerjet e veturave nga biznesmeni dhe këshilltari i Sami Lushtakut

    96 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • Kurti kujdeset t’ia çojë edhe një mesazh Osmanit në ditët e fundit të mandatit, ja çfarë i thotë nga foltorja e Kuvendit

    95 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë