Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë sot se vendimi i Komitetit të Asamblesë Parlamentare për rekomandimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës “është i turpshëm dhe skandaloz”.
Në një deklaratë në rrjetet sociale të mërkurën, Daçiq ka shkuar aq larg sa e ka quajtur vendimin e Komitetit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së si kërcënim për integritetin dhe sovranitetin territorial të Serbisë.
“Vendimi i Komitetit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për rekomandimin për pranimin e të ashtuquajturës Kosovë në Këshillin e Evropës është i turpshëm dhe skandaloz, i cili shkatërron të gjitha parimet mbi të cilat mbështetet Këshilli i Evropës, sepse për herë të parë është propozuar pranimi i një territori që nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe nuk njihet ndërkombëtarisht”, tha Daçiq.
“Ky vendim kërcënon dhe cenon integritetin dhe sovranitetin tonë territorial”, vazhdoi Daçiq.