Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dalë publikisht në mbështetje të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, në një kohë kur kreu i futbollit botëror po përballet me presion të shtuar nga disa konfederata kontinentale.
Trump deklaroi të hënën mbrëma se FIFA do të bënte një “gabim të tmerrshëm” nëse do të merrte në konsideratë zëvendësimin e Infantinos, të cilin e vlerësoi për drejtimin e Kupës së Botës 2026, shkruan Indeksonline
“FIFA do të bënte një gabim të tmerrshëm nëse, për çfarëdo arsye, do të merrte në konsideratë edhe për një moment zëvendësimin e presidentit të saj, Gianni Infantino”, shkroi Trump në rrjetin e tij social, Truth Social
Presidenti amerikan e përshkroi Infantinon si personin që sapo ka udhëhequr “Kupën e Botës më të suksesshme ndonjëherë”, duke argumentuar se largimi i tij do të rrezikonte suksesin dhe përfitueshmërinë e turneve të ardhshme.
Mbështetja e Trump vjen në një moment delikat për Infantinon. Presidenti i FIFA-s është përballur me kritika të forta pas përpjekjes së tij të pasuksesshme për të hapur organizatën ndaj investitorëve privatë.
Në anën tjetër, UEFA, CONCACAF dhe AFC kanë publikuar një letër të përbashkët, në të cilën kanë kritikuar mënyrën e drejtimit të FIFA-s dhe kanë nënvizuar nevojën për ndryshime në udhëheqjen e organizatës.
“Futbolli nuk i përket asnjë individi”, thuhet në deklaratën e tyre, duke shtuar se udhëheqja e futbollit botëror duhet të shihet si “një detyrë shërbimi ndaj familjes së futbollit”, e jo si një përpjekje për të ruajtur ose kërkuar pushtet.
Infantino, i cili synon të vazhdojë në krye të FIFA-s, tashmë ndodhet përballë një përplasjeje të hapur mes mbështetjes që gëzon nga disa qarqe dhe presionit të konfederatave që kërkojnë ndryshime në drejtimin e futbollit botëror./Indeksonline













