Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka vlerësuar lartë liderët evropianë para një takimi virtual me ta të mërkurën, i cili do të zhvillohet në lidhje me samitin Trump-Putin të premten në Alaskë.
Në një postim në “Truth Social” pak orë para takimit, Trumpi ka thënë se liderët evropianë duan të shohin një marrëveshje për fundin e luftës në Ukrainë.
“Do të flasë me udhëheqësit evropianë pas pak. Ata janë njerëz të shkëlqyer që duan të shohin një marrëveshje të arritur”, ka shkruar Trumpi.
BBC raporton se liderët e vendeve të BE-së dhe NATO-s, së bashku me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të zhvillojnë fillimisht një takim virtual në ora 14:00 sipas kohës së Kosovës, e më pas, atyre do t’u bashkohen edhe presidenti amerikan, Donald Trump, e zëvendëspresidenti, JD Vance, rreth orës 15:00 sipas kohës së Kosovës.
Ndërkaq, rreth orës 16:00, kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili e ka thirrur takimin, dhe presidenti ukrainas, Zelensky, pritet të dalin në konferencë për media.
Zelensky ka mbërritur në Berlin të mërkurën në mesditë, ku është pritur nga Merz.