Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit mund të arrihet që të mërkurën, ndërsa Irani dhe Omani po afrohen drejt një dakordësie për këtë korridor të rëndësishëm detar.
Sipas Trump, një marrëveshje e tillë do të mund të lehtësonte presionin mbi ekonominë globale dhe potencialisht të ndihmonte në përfundimin e konfliktit.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën më 28 shkurt, duke deklaruar si objektiva rrëzimin e qeverisë së Teheranit dhe ndalimin e programit bërthamor iranian. Megjithatë, konflikti është përqendruar më pas te Ngushtica e Hormuzit, pasi kërcënimet dhe sulmet ndaj transportit detar nga Irani kanë bllokuar qarkullimin në këtë zonë.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme energjetike në botë, ku më parë kalonte rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror global. Mbyllja e saj ka shkaktuar rritje të çmimeve të karburanteve dhe mallrave bazë, duke ndikuar ekonominë ndërkombëtare.
Trump tha për gazetarët në Kaliforni se një marrëveshje mund të arrihet “nesër ose pasnesër”, duke shtuar se “është bërë shumë përparim”. Deklarata erdhi pas raportimeve se mund të ketë një njoftim zyrtar për këtë çështje.
Çmimet e naftës fillimisht ranë për shkak të shpresave për një marrëveshje që do të rikthente transportin detar, por më pas u rritën sërish. Nafta Brent u tregtua rreth 80 dollarë për fuçi, megjithëse ende nën nivelet e arritura gjatë kulmit të konfliktit.
Ndërkohë, tensionet në rajon vijojnë. Rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, pretenduan se kishin lëshuar raketa balistike drejt një cisternë nafte saudite në Detin e Kuq. Zëdhënësi ushtarak i Houthive tha se anija “Wafa” ishte goditur pranë portit saudit Yanbu, por nuk paraqiti prova për pretendimin.
Arabia Saudite nuk ka dhënë menjëherë një reagim zyrtar. Sulmi vjen në një periudhë përshkallëzimi mes Houthive dhe Riadit, duke rritur frikën për rikthimin e tensioneve në luftën civile të Jemenit.












