Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nisi një takim për të diskutuar rreth Venezuelës me disa nga kompanitë më të mëdha të naftës në botë të premten në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se dëshiron që ato të investojnë 100 miliardë dollarë në shtetin e Amerikës Jugore në mënyrë që ky vend ta shtojë shumë prodhimin.
“Ne do të diskutojmë se si këto kompani të mrekullueshme amerikane mund të ndihmojnë që të rindërtohet shpejt industria e vjetruar e naftës e Venezuelës dhe të sillen miliona fuçi të prodhimit të naftës në përfitim të Shteteve të Bashkuara, popullit të Venezuelës dhe tërë botës” – tha presidenti amerikan në hapje të takimit.
“Ne do ta marrim vendimin për atë se cilat kompani të naftës do të hyjnë [në Venezuelë], se cilat do t’i lejojmë që të hyjnë” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Trumpi vlerësoi lart një marrëveshje të arritur rishtazi me udhëheqësit e përkohshëm të Venezuelës për t’u ofruar 50 milionë fuçi me naftë të papërpunuar Shteteve të Bashkuara, ku shumë rafineri amerikane janë të pajisura në mënyrë të veçantë për ta rafinuar këtë lëndë dhe tha se pret që dërgesat të vazhdojnë për kohë të pacaktuar.
“Njëra nga gjërat që Shtetet e Bashkuara i nxjerrin nga kjo do të jenë çmimet edhe më të ulëta të energjisë” – premtoi ai.
Zyrtarë të administratës së Trumpit kanë thënë se duhet t’i kontrollojnë shitjet e naftës së Venezuelës dhe të hyrat prej tyre për afat të pacaktuar për t’u siguruar që ky shtet është duke vepruar sipas interesave të Uashingtonit dhe gjithashtu duan që ta shohin rehabilitimin e fushave të naftës në Venezuelë nga kompanitë e mëdha të naftës pas disa dekadave në rënie.
Agjencia “Reuters” ka raportuar se disa kompani, përfshirë “Chevron”, “Vitol” dhe Trafigura”, janë duke garuar fort që të sigurojnë licensa nga ShBA-ja për ta vënë në treg naftën e papërpunuar të Venezuelës. Sidoqoftë, gjigantët e kësaj industrie po ngurrojnë që të zotohen për investime të mëdha e afatgjata në Venezuelë për shkak të kostos së lartë dhe jostabilitetit politik.












