Gjatë ditës së djeshme, 11 persona që dyshohen për dallavere me subvencione kanë përfunduar në pranga pas një aksioni të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Në mesin e të arrestuarve, tre janë persona zyrtarë.
Njëri nga ta Liridon Fandaj, është edhe asamblist i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Suharekës.
Por Fandaj, ishte i zëshëm në fushën e drejtësisë.
“Qeverisjes 20 vjeqare në Kosovë as një vend i Ballkanit nuk ka mundur t’ia thej rekordin per korrupsion, ndërsa kjo qeverisje si duket do i shtoj edhe një rekord të zi Kosovës, këtë për koronavirus”, kishte shkruar Fandaj.
Dy vite më parë, Fandaj kishte mbushur profilin e tij në facebook, ku kërkonte Vetting në drejtësi.
“Vetting, vetting, vetting.
Pas konferencës së drejtorit të shkarkuar të ATK nga LDK , i ngarkuar dikur nga PDK, forcohet edhe më shumë argumenti ynë për një proces vettingu gjithëpërfshirës nga drejtësia e siguria tek ATK e doganat. Aq gjerë e thellë është kapur institucioni publik si i tillë saqë vet të përfshirët e njërës anë po shpalosin të bëmat e palës tjetër”, kishte shkruar ai.
Fandaj akuzonte pushtetet e kaluara për kapje të institucioneve.
















