Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka goditur një rrjet kriminal që sjellte para të pista nga Luzerni i Zvicrës dhe i pastronte në Tiranë të Shqipërisë. Në krye të saj qëndron Enver Ferizaj, biznesmen nga komuna e Ferizajt.
Siç u raportua gjatë ditës në media, paratë shpëlaheshin përmes pikave të këmbimeve valutore nëpër Tiranë. Përmes tyre, vlerësohet të jenë shpëlarë miliona euro, raporton Insajderi.
Kreu i kësaj organizate kriminale është biznesmeni nga Ferizaj i Kosovës, Enver Ferizaj, me banim në Tiranë, në Rrugën e Durrësit, mbi pikën e këmbimit valutor, ku pastronte paratë e pista me çanta.
Organizata kishte karakter familjar, pasi lëvizjet e parave të pista i kryente edhe i biri, Ervis Feriazaj, Erjona Ferizaj, Burim Ferizaj e të tjerë. Një pjesë të parave pastroheshin në Tiranë nga Ervis Ferizaj, në lokale dhe biznese të tjera.
Ervis Ferizaj mësohet të jetë bashkëpunëtor me bosin e kokainës Përparim Kalbajn, i maskuar si biznesmen. Kalbajt është gjetur vite më parë sasi kokaine, por i liruar shumë shpejt në mënyrë të dyshimtë. Grupi ka edhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Çka tha SPAK’u në njoftim?
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal nr.49/3 viti 2023, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafik i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 283/a, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera gjatë hetimeve paraprake dhe ato të kryera nga autoritetet e drejtësisë zvicerane, janë mbledhur provat e nevojshme, të cilat kanë provuar faktin se personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, si dhe në bashkëpunim me disa persona të tjerë që janë me banim në Luzern, Zvicër, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe kanë bërë të mundur funksionimin e një sistemi informal të transferimit të parave. Përmes këtij sistemi kanë transferuar dhe kanë transportuar nga Zvicra për në Shqipëri, sasi të konsiderueshme të parave që kanë pasur si burim të origjinës së tyre aktivitetet e trafikimit dhe të tregtimit të lëndëve narkotike në territorin e Zvicrës apo në vende të tjera.
Ky sistem informal i transferimit të parave, i njohur me emërtimin “Hawala”, iu ka mundësuar personave nën hetim dhe personave të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale, të transferonin në mënyrë të shpejtë, shuma monetare nga Zvicra në Shqipëri, për një periudhë disa vjeçare, të paktën prej vitit 2020 dhe në vazhdim.
Personat e interesuar për transferimin e parave (dërguesit e parave) dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.
Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë, personin nën hetim E.F, i cili është edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal, për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë. Më pas, personi nën hetim E.F, në bashkëpunim me personat nën hetim B.F dhe P.K, dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishtë depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë.
Në këtë mënyrë mundësohej transferimi i parave në një kohë shumë të shpejtë, pa qënë e nevojshme që të kryhej transportimi i menjëhershëm fizik i parave nga Zvicra në Shqipëri, si dhe njëkohësisht bëhej e pamundur për agjencitë e zbatimit të ligjit, rregjistrimi i transfertave të parave, identifikimi i personave dërgues dhe pritës të parave, si dhe verifikimi i burimit të parave që transferoheshin.
Hetimet kanë treguar se ky sistem i transferimit të parave është përdorur nga dhjetra persona, se depozitimet e shumave monetare në Zvicër janë kryer në qindra raste dhe se shumat monetare të transferuar janë në miliona euro. Vijojnë veprimet hetimore për llogaritjen e vlerës së plotë të shumave monetare që janë transferuar.
Për të realizuar këtë veprimtari kriminale, personat nën hetim në Shqipëri dhe bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, kanë përdorur zyra të këmbimit valutor, zyra të transferimit të parave dhe agjenci turistike, për të fshehur qëllimin e vërtetë të veprimtarisë së tyre, pasi në të vërtetë këto aktivitete janë përdorur për të depozituar sasitë e parave në Zvicër dhe për të dorëzuar dhe për të shpërndarë sasitë e parave në Shqipëri.
Qëllimi i kësaj veprimtarie nga grupi i strukturuar kriminal ka qënë realizimi i fitimeve, ku vlera e përfitimit monetare që përfitohej nga personat nën hetim ishte 6% e shumës së parave që transferohej, që ndahej më pas në mënyrë të barabartë mes personit nën hetim E.F dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër.
Krahas veprimtarisë kriminale të mësipërme, personat nën hetim E.F, B.F dhe P.K kanë realizuar edhe aktivitetin e tregtimit të lëndëve narkotike në disa Kantone në Zvicër, duke përdorur persona të tjerë si shpërndarës të lëndëve narkotike në sasi më të vogla, si dhe duke siguruar furnizimin e tyre me lëndë narkotike.
SPAK kësisoj ka kërkuar që të caktohet masa e sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarit.
Çka thonin autoritetet zvicerane?
Një vendim i Gjykatës Federale Penale në Zvicër ka ekspozuar mekanizmat e pastrimit të parave të drogës së shqiptarëve atje. Një skenë e nënvlerësuar dhe e padukshme që vepron në të gjithë vendin, siç përshkruhet nga mediat zvicerane.
Siç raportonte medium zviceran ‘Aargauer Zeitung’ një korrier i përshkroi hetuesve dërgesat e tij të rregullta të parave të drogës në një agjenci udhëtimesh në Lucern.
“Shkoni atje, sigurisht që e njihni njëri-tjetrin dhe ia dorëzoni paratë; çfarë i detyrohesha Z. A. Pastaj i shkrova ose e telefonova për t’i thënë se paratë ishin dorëzuar dhe kaq ishte. Fola për babanë tim, si ishin fëmijët dhe kaq ishte për mua. Nuk kisha nevojë të diskutoja për paratë. Punonjësit e agjencisë së udhëtimit e dinin se ato ishin për A. Të vetmet fjalë që u thanë ishin: ‘Ja ku është, është për të’, pastaj paratë u numëruan dhe kaq ishte“, deklaroi dërguesi i drogës.
Përshkrimi vjen nga vendimi i apelit i Gjykatës Federale Penale në Bellinzona të Zvicrës, i prillit të kaluar. Shtetasi zviceran, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, kishte kërkuar lirim nga paraburgimi dhe ndihmë ligjore falas. Gjykata i hodhi poshtë të dyja kërkesat. Me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Federal, e cila e cilësoi hetimin në vazhdim si në rrezik, gjykata e shtyu publikimin e vendimit për muaj të tërë.
Korrieri i parave në fjalë u arrestua në Zvicër në shtator të 2024-ës së bashku me pesë anëtarë të tjerë të dyshuar të një klani droge. Zyra e Prokurorit Federal po zhvillon procedura kundër bandës, e cila kishte selinë e saj në një agjenci udhëtimesh në Lucern, me dyshimin për pjesëmarrje ose mbështetje të një organizate kriminale, pastrim parave dhe trafik droge.
Burri jo vetëm që mblodhi para nga celula të ndryshme droge në Zvicrën gjermanishtfolëse, por edhe ia çoi ato agjencisë së udhëtimeve. Ai veproi edhe si shofer për A., i cili konsiderohet kreu zviceran i këtij klani ballkanik. Ai veproi gjithashtu si “pikë mbledhëse” për fondet kriminale kur agjencia e udhëtimeve u mbyll.
Ky person pretendon se ka qenë një figurë e vogël. Ai pretendoi se nuk e dinte që ishin të përfshira paratë e drogës. Avokati i tij nga Berna i shkroi gjykatës duke thënë se “Klienti i tij është i vetmi i pandehur që nuk refuzon të dëshmojë. Ai dha informacion të detajuar “rreth procedurës specifike” dhe dha një kontribut të rëndësishëm në “hetim””.
Fakti që korrieri është i vetmi që bën deklarata mund të interpretohet edhe anasjelltas: se ai ka një pozicion veçanërisht të fortë në klan; se mund të përballojë të bëjë deklarata të caktuara ndërsa të tjerët duhet të heshtin, raporton tutje mediumi zviceran.
Sipas vendimit të gjykatës, Zyra e Prokurorit Federal arriti në përfundimin se rezultatet e hetimit deri më tani tregojnë se burri “mund të ketë luajtur një rol shumë më të rëndësishëm në këtë skemë sesa atë të një korrieri të thjeshtë parash ose i një pike mbledhse parash që shërbente si alternativë ndaj një agjencie udhëtimesh”.
Rasti i agjencisë turistike të Lucernit përfshin bandat shqiptare të përfshira thellë në tregtinë e kokainës dhe heroinës në Zvicrën gjermanishtfolëse. Pronari i agjencisë turistike dhe dy djemtë e tij thuhet se kanë përvetësuar më shumë se shtatë milionë franga zvicerane në pak më pak se një vit dhe i kanë kontrabanduar ato në Kosovë dhe në Shqipëri. Disa prej tyre fizikisht përmes rrugë tokësore, disa përmes sistemit popullor, pothuajse pa gjurmë, të Hawalës.
Përmes këtij sistemi, paratë nuk transferohen as fizikisht dhe as elektronikisht. Për shembull, nëse klienti dëshiron të dërgojë një milion dollarë para droge në Tiranë, ai ia sjell ato në para të gatshme ofruesit të Hawala-s. Ta zëmë mund të jetë përmes një berberhaneje, një restoranti kinez ose kioske. Klienti më pas mund të tërheqë të njëjtën shumë nga partneri i biznesit përmes degës në Tiranë të ofruesit të hawala-s. Krejt kjo, përmes paraqitjes së një kodi.