Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraqitjes në stacionin policor për kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj. Kërkesa për një muaj paraburgim nga prokuroria, është vlerësuar e pabazuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.
“Masa e paraqitjes në stacionin policor kundër të pandehurit D.M do të llogaritet në kohëzgjatje prej një muaji, duke filluar që nga data 01.02.2022 deri më 01.03.2022”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Gjithsesi, gjykata kujton se konform nenit 178 paragrafi 4 të KPPRK, gjykata mund të caktojë masën më të rëndë – paraburgimin, nëse i pandehuri Molliqaj shkel masën e shqiptuar.
Molliqaj u arrestua për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” kur goditi zyrtarin policor gjatë protestës të së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës.












