Kriza mes UEFA-s dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ka hyrë në një fazë të re.
Drejtuesit e futbollit evropian po diskutojnë seriozisht mënyrën se si mund ta sfidojnë Infantinon në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s në vitin 2027.
Në këtë kuadër zhvillohet në Berlin Top Executive Programme (TEP), një forum i UEFA-s që mbledh presidentët dhe sekretarët e përgjithshëm të 55 federatave anëtare.
Takimi zgjat tri ditë dhe zhvillohet me dyer të mbyllura. Ndër vite, nga këto takime kanë dalë edhe vendime të rëndësishme për futbollin evropian, ndërsa këtë herë tema kryesore është përplasja me Infantinon.
UEFA kërkon një kandidat
Problemi kryesor për UEFA-n është se, për momentin, nuk ka një kandidat të fortë që mund të përballet me Infantinon.
Zgjedhjet do të zhvillohen në Rabat të Marokut në mars 2027, ndërsa afati për paraqitjen e kandidaturave është 18 nëntori.
Infantino, i cili synon një tjetër mandat në krye të FIFA-s, aktualisht ka mbështetjen e 90 nga 211 federatat anëtare të organizatës.
Ndërkohë, kandidati i vetëm i shpallur deri tani është ish-futbollisti zviceran Ramon Vega, por kandidatura e tij shihet si e pamjaftueshme për të rrezikuar seriozisht Infantinon.
Vega e ka provuar edhe më parë të kandidojë për postin, por pa sukses. Për të qenë zyrtarisht kandidat, një person duhet të propozohet nga një federatë dhe të ketë mbështetjen e të paktën pesë federatave.
Al-Khelaifi nuk dëshiron të kandidojë
Një prej emrave që do të kishte më shumë peshë në këtë përballje është Nasser Al-Khelaifi, president i Paris Saint-Germain dhe një prej figurave më të fuqishme të futbollit evropian.
Megjithatë, ai nuk duket se ka ndërmend të hyjë personalisht në garë.
Në këtë situatë, UEFA duhet të gjejë jo vetëm një kandidat, por edhe votat e nevojshme për ta mposhtur Infantinon.
Presidenti i FIFA-s tashmë ka siguruar mbështetjen e disa federatave evropiane, përfshirë Azerbajxhanin dhe Letoninë, ndërsa pritet të ketë edhe mbështetje nga Çekia.
Kështu, përplasja mes UEFA-s dhe Infantinos po bëhet gjithnjë e më e hapur, por Evropa ende nuk e ka gjetur figurën që mund ta udhëheqë sfidën ndaj presidentit aktual të FIFA-s.














