
Kompania “Aurora Group” me pronar Valdet Fejzullahun edhe sot po vazhdon ndërtimin pa leje të objektit banesor në Mitrovicë pranë ish Hortikukturës.
Veriu.info ka siguruar foto të vendpunishtes, ku shihet se si edhe sot kjo kompani i ka vazhduar punimet pa leje, duke mos i bërë pështypje ligji e as autoriteti i komunës.
Ndryshe, Veriu.info gjatë kësaj jave disa herë ka raportuar, se si kjo kompani po ndërton kundërligjshëm, pasi që drejtori i Urbanizmit, Edison Tërnava kishte konfirmuar për gazetën Veriu.info se “Aurora Group” nuk ka leje ndërtimore për këtë objekt.
Edhe drejtori i Inspeksionit, Valon Brahimi, i pyetur nga Veriu.info se çfarë veprimi do të ndërmerren nga komuna ndaj kompanisë që po ndërton pa leje, kishte thënë se do ta zbatoj ligjin, por në terren ligjin po e bën “Aurora Group”.
Veriu.info ka kontaktuar sot inspektorin komunal të ndërtimit, i cili ka thënë se nuk është në dijeni që “Aurora Group” po vazhdimet punimet në objektin që nuk ka leje, por është zotuat se do të dalë t’i ndërprej punimet, refren të cilin është duke e përsëritur prej rreth një jave.
Ndryshe, Veriu.info nesër do të publikoj fakte se si Drejtoria e Urbanizmit në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit i kanë ndryshuar kundërligjshëm vijat kadastrale të kanalit publik të ujit për t’i mundësuar në të ardhmen leje ndërtimore kësaj kompanie që po ndërton kundërligjshëm./Veriu.info












