Zyrtari i PDK-së, Përparim Gruda, i ka reaguar zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Sallahu, pretendoi se Gruda sot i ka kërcënuar ministren e Jashtme, Donika Gërvalla dhe ambasadorin Martin Berishajn, se kinse kur të vjen PDK-ja në pushtet, ata nuk do të jetojnë në Kosovë.
Një pretendim të tillë, Gruda e ka hedhur poshtë, transmeton Paparaci.
“Zv. Ministri i Drejtësisë gënjen publikisht, unë nuk e kam thënë këtë kurrë. E verteta është se Martini kurrë s’ka jetu në Kosovë as Donika. Këta janë turista të pushtetit. Pyetja është a ka me ik edhe Albini në Norvegji pasi që ta shkaterron Kosovën siç e ka fillu?”, shkroi Gruda në Facebook.
Gruda, sot tha se “Berishaj e Gërvalla kanë nga 2-3 pasaporta, dhe kur të largohen nga pushteti nuk do të jetojnë në Kosovë”.
Në anën tjetër, Gruda është shprehur se qytetarët që jetojnë këtu, do të jetojnë me pasojat që do t’i lënë Gërvalla e Berishaj.
Sallahu në Facebook, tha se deklarata e Grudës është dhunim brutal i të drejtave të njeriut.
“Në këtë konferencë ai tha ‘Meqë Donika Gërvalla dhe Martin Berishaj i kanë nga dy pasaporta, kur ta merr mandatin PDK, ata nuk do të jetojnë në Kosovë’. Ky është kërcënim dhe njëkohësisht dhunim brutal i të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuar me kushtetutë. Kjo është doktrina juridike perëndimore e PDK-së dhe përfaqësuesve të saj”, shkroi ai.













