Keqpërdorimi i aseteve publike nga zyrtarët e shtetit tashmë nuk është një risi, por një më se e zakonshme.
Një gjë të tillë po vazhdon ta bëjë tashmë e një kohë peofesori universitar Gani Maliqi, profesor në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Profesori Gani Maliqi njëkohësisht është zgjedhur tashmë e disa muaj anëtari i Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Maliqi shfrytëzon veturën zyrtare të shtetit për të kryer edhe punë të tjera, ani pse Qeveria e Kosovës me një vendim ka ndaluar të gjithë zyrtarët shtetëror që të shfrytëzojnë veturat e shtetit për nevoja tjera përveç atyre që lidhen me institucionin ku punon.
Por anëtari i Bordit të KPMM-së vazhdon ta shpërfill këtë vendim, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPMM-së për të shkuar në universitet ku punon si profesor.
Maliqi është zgjedhur anëtar i këtij bordi më 6 dhjetor 2021 nga Kuvendi i Kosovës, pra në kohën kur shumicën në Kuvend e ka Vetëvendosje e Albin Kurtit.
Kryesuese e bordit ishte zgjedhur Selvete Grajçevci – Pllana kurse anëtarë: Gani Maliqi, Jahir Gashi, Gani Kastrati dhe Rrezarta Pushkolli – Makolli.
Veriu.info ka siguruar fotografitë në ditë të ndryshme ku shihet vetura zyrtare e KPMM-së që shfrytëzohet nga Gani Maliqi në oborrin e Universitetit të Mitrovicës ku ai ligjëron.
Veriu.info ka dërguar pyetje në adresë të KPMM-së dhe kryesueses gë bordit rreth kësaj çështje por ata nuk kanë dhënë asnjë përgjigje për këtë çështje.
Veriu.info ju sjellë më poshtë fotografitë:


















