Arton Berisha, djali i vëllait të ish – deputetes së PDK-së, Sala Berisha-Shala, është emëruar kryeshefi i ri ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore.
NPB Prishtina në Facebook ka njoftuar se të premten Berisha ka bërë pranimin e detyrës.
“Me datë 02.12.2022 është bërë pranim – dorëzimi i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore Sh.A, ndërmjet U.D Kryeshefit Ekzekutiv, z. Bashkim Beha dhe Kryeshefit të sapo zgjedhur, z. Arton Berisha. U.D. Beha, i uroi Kryeshefit të ri z. Arton Berisha detyrën e re të Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore Sh.A, duke e njoftuar për projektet e Ndërmarrjes, rrjedhën e zhvillimeve, dhe në të njëjtën kohë duke i dorëzuar të gjithë dokumentacionin relevant të zyrës së Kryeshefit dhe të Ndërmarrjes në përgjithësi”, shkruhet në njoftim.
Arton Berisha ka punuar si Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Administratës Publike për disa vite me radhë, pastaj Drejtor i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Anëtar Bordi në Fondin Kosovar për Efiqencë të Energjisë.
Arton Berisha ka qenë edhe drejtori i klubit të futbollit “Ferronikeli”, raporton Paparaci.
Kujtojmë se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë koalicion qeverisës në komunën e Prishtinës./Paparaci.com













