Lëvizja Vetëvendosje është duke e vazhduar avazin e punësimeve të familjarëve të zyrtarëve të saj në institucione publike. Së fundmi një rast i tillë ka ndodhur në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.
Mentor Alishani, vëllai i i asamblistes së zellshme të Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Prizrenit, Dafina F. Alishani, është rehatuar në krye të Universitetit “Ukshin Hoti”. Alishani është zgjedhur rektor i këtij universiteti, shkruan Demokracia.com.
Për këtë punësim ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Përmes një postimi në Facebook, AAK zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Prizrenit e ka cilësuar si kapje të këtij institucioni.
“Sot në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren rektor u zgjedh Mentor Alishani. Mentori është vëllai i asambleistes më të zëshme të VV- së, e cila reagon në çdo çështje të partive tjera, pos partisë së saj. Ne si rini e AAK- së, dega në Prizren, dëshirojmë të dimë reagimin e saj rreth emërimit të vëllait të saj si rektor në UPz. Pasi të gjithë e dimë që familjarët janë për ahengje e dasma e jo për punësime dhe emërime në pozita të larta” , thuhet në postimin e AAK-së.
Siç mund të shihet edhe në postimet në rrejtët sociale, Dafina Alishani është aktiviste e vyeshme e partisë në pushtet.
Ajo vazhdimisht bën shpërndarje të statuseve të kryeministrit Albin Kurti, të ministrave dhe të partisë. Nuk janë të rralla as fotot e saj më kryeministrin Kurti.













