Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi e pati paralajmëruar javën e kaluar vizitën e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian ai tha se të martën (30 janar), do të vijë dikush i rëndësishëm nga BE-ja me të cilin do të flasin edhe për masat e vendosura ndaj Kosovës, shkruan Gazeta Express.
“Masat e BE-së janë të kufizuara vetëm në takime të nivelit të lartë. Takimet po vazhdojnë, këtë të marte do të kemi prapë vizitë nga dikush nga Brukseli në Prishtinë”, ka thënë ai, pa e zbuluar se ky person do të ishte pikërisht Lajçaku.
Gjatë kësaj vizite, ai do të takohet me kryeministrin Albin Kurti. Sipas njoftimit që ka lëshuar Zyra e Kryeministrit, takimi do të mbahet në orën 15:00, raporton Express.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Lajçak dje është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në një postim në X, Lajçak ka thënë se me Vuçiqin ka folur për situatën aktuale në dialog.
Sipas tij, pjesë e diskutimit kanë qenë edhe hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Në diskutimin tonë, u fokusuam në perspektivën strategjike për vitin 2024, bëmë një bilanc mbi situatën aktuale në dialog dhe folëm për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka shkruar ai.
Kurse, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq takimin me Lajçakun e ka vlerësuar si konstruktiv dhe shumë korrekt.
“Vura në dukje domosdoshmërinë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kërkova mbështetjen e BE-së në ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina. Ritheksova gatishmërinë e Republikës së Serbisë për të përmbushur detyrimet e saj, në përputhje me marrëveshjet ligjore ndërkombëtare, duke respektuar Kushtetutën e Republikës Serbe dhe Kartën e OKB-së”, ka shkruar në Vuçiq në Facebook.
Diplomatit sllovak, Këshilli i Bashkimit Evropian, ia ka vazhduar mandatin deri në gusht të këtij viti. /Express/












