Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku i ka dalë në mbrojtje analistes Zana Avdiu, e cila u kërcënua pasi e kritikoi një gjest të futbollistit të Zvicrës, Granit Xhaka në ndeshjen kundër Serbisë të premtën.
“Linçimet, kërcënimet, fyerjet, histeria, nuk kanë me na çu askund. Qetësonu pak. Në rregull është mos me u pajtu të gjithë për gjithçka. Në fakt, shyqyr që mendojmë ndryshe. Graniti nuk bëhet as më i madh e as më i vogël nga statusat tonë në Facebook. Vlerësimin për të e dha FIFA menjëhere pas lojës. U shpall lojëtar më i mirë i ndeshjes”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka kërkuar që të mos linçohet e kërcënohet Zana Avdiu.
“E ne jo rrallëherë u kemi vënë barrë të rëndë mbi supe sportistëve tanë. Barrën e historisë, barrën e vënjes së drejtësisë. Shumë presion i madh. Granitit suksese në lojët e radhës, e ju gëzoftë zemra që po na bënë krenarë me fitoret e tij. A ka ma mirë, fëmijët sot në Kosovë i sheh me fanela të Xhakës, Shaqirit, Muriqit, Rashicës etj. E Zana ka të drejtë të pamohueshme me e shprehë mendimin e vet, i pëlqeu dikujtë a jo. Kundëtshtone, po mos linçoni. Mos kërcënoni. Kaq”, ka shkruar Çitaku.













