Prodhuesi i njohur gjerman i automjeteve, “Volkswagen”, ka thënë se taksat e importit që i janë vendosur nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, i kanë kushtuar më shumë se 1 miliard euro në pjesën e parë të këtij viti.
VW-ja tha se kishte shënuar progres në rindërtimin e kompanisë, e cila është duke e shqyrtuar mbylljen e 35 mijë vendeve të punës deri në vitin 2030, por se kishte pësuar 1,3 miliard euro “rënie në operim, rezultat kryesisht për shkak të kostove të larta nga taksat e ngritura të ShBA-së ndaj importeve”, shkruan gazeta “The Guardian”.
Kompania gjithashtu e ka zvogëluar margjinën e fitimit, duke e vënë mes 4 e 5 për qind për këtë vit, duke u mbështetur në supozimin se taksat mes 10 për qind, në rastin më të mirë, dhe 27,5 për qind, në rastin më të keq, do të bëhen të përhershme nga presidenti amerikan.
Grupi gjigant, emblemë e industrisë gjermane, gjithashtu i prodhon veturat Audi, Seat dhe Skoda si dhe markat luksoze, Lamborghini e Bentley, si dhe automjetet komerciale, përfshirë kamionë Scania.
Të hënën, prodhuesi i automjeteve Vauxhall, Stellantis, tha se taksat e Trumpit tashmë i kishin kushtuar 300 milionë euro, ndërsa javën e kaluar prodhuesi suedez Volvo tha se i kishte ndërprerë shitjet e disa modeleve në ShBA dhe kishte pësuar rënie substanciale të të hyrave në çerekun e dytë të vitit.
Eksporti i veturave gjermane në Shtetet e Bashkuara shënoi rënie të ndjeshme në prill dhe maj, përderisa taksat e importit të vendosura nga Trumpi po i godasin shitjet e prodhuesve të automjeteve në tregun e tyre të huaj më të rëndësishëm, tha të enjten shoqata e kësaj industrie, VDA.