155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë për dhunë në familje janë identifikuar në raportin që i është dorëzuar kryeministri Albin Kurti, nga ana e ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë. Kështu bëri të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjatë një konference që ai e zhvilloi së bashku me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Këto raste të shumta u identifikuan vetëm pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila ishte edhe arsyeja e raportit të këtyre ministrive dhe vetë konferencës së mbajtur nga ta.
“Arlinda kërkoi mbrojtje. Sot përgjegjësia jonë është që të sigurohet që çdo veprim apo mosveprim të hetohet. Përtej veprimeve, përgjegjësia jonë është që të gjitha rastet e tjera të identifikuara të trajtohen me seriozitetin dhe vëmendjen e duhur institucionale. Me kërkesë të Kurtit, është përpiluar një raport i veçantë për rastet aktive me rrezikshmëri të lartë. Sipas këtij raporti, janë identifikuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë”, tha Sveçla në konferencë.
Ministri, po ashtu, deklaroi se të gjitha rastet e tjera të identifikuara do të trajtohen me seriozitetin më të madh.
Konferenca e të dy ministrave u zhvillua mes protestash e thirrjeve që të dy ata të dorëhiqen ose të shkarkohen nga pozitat që ata mbajnë. Megjithatë, një gjë të tillë të dy e mohuan se do ta bëjnë.
Ndryshe, vrasja e Arlinda Zekajt ka shkaktuar protesta në Prishtinë, por edhe në qytete të tjera duke u kërkuar llogaridhënie lidhur me rastin. Rreth kësaj, dje u bë e ditur suspendimi i 11 zyrtarëve policorë. Ndërsa sot, Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
















