
“Situata në Kosovë sot në mëngjes është e qetë, në dukje e qetë, sepse mund të shpërthejë në çdo moment, pasi tensioni është në maksimum, sidomos te serbët që kërcënohen nga aktet e fundit terroriste të regjimit të Albin Kurtit”.
Kështu ka deklaruar të dielën ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, teksa ka theksuar se pret një veprim më vendimtar nga KFOR-i në mbrojtjen e serbëve në Kosovë.
“Është e rëndësishme nëse serbët arrijnë të shprehin në mënyrë paqësore kundërshtimin e tyre ndaj asaj që po ndodh me ta, veçanërisht në katër komunat në veri, pa përshkallëzim të mëtejshëm. Kurti po punon për pastrimin etnik të Kosovës nga serbët dhe kjo është agjenda e tij kryesore. Është një formë presioni ndaj serbëve në Kosovë, të cilëve u thuhet se nuk mund të qëndrojnë në veri”, tha Vuçeviq në TV Prva.
Ai tha se qëllimi është që Serbia të futet në konflikt, “ku do të paraqitet si agresore dhe se duhet të tregohet politikisht e mençur, e kujdesshme dhe t’i mbrojë serbët në Kosovë”.
Duke iu referuar deklaratës së ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, se ushtria serbe nuk po përgatitet të ndërhyjë në Kosovë, por të jetë e gatshme “për të gjithë skenarët”, Vuçeviq tha se “Serbia nuk do të lejojë askënd të kalojë vijat e kuqe”.
“Ushtria do të jetë në gjendje të kryejë çdo detyrë që ka të bëjë me sigurinë e Serbisë dhe serbëve në Kosovë”, tha ai.
“Komandanti i KFOR-it ka autonominë e tij, por ndjek edhe kontekstet politike. Pres një veprim më të vendosur nga KFOR-i në mbrojtjen e serbëve”.
Kur është fjala për qëndrimin Listës Serbe, të cilët kërkuan që të ndërpritet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “të tërheqë forcat speciale dhe kryetarët e komunave” nga veriu, Vuçeviq tha se e kupton qëndrimin e tyre.












